Banka Qendrore: Rritja ekonomike në Kosovë gjatë vitit të kaluar ishte 4.2 për qind, inflacioni arrin në në 2.7 për qind.
Rritja reale ekonomike në vend gjatë vitit 2019 ishte 4.2 për qind dhe inflacioni arriti në 2.7 për qind, kështu thuhet në raportin vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës për vitin 2019.
Sipas BQK-së, përcjell Telegrafi, rritja e aktivitetit ekonomik është gjeneruar si nga kërkesa e brendshme ashtu edhe nga eksportet neto.
“Në vitin 2019, sipas vlerësimeve tremujore të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje reale prej 4.2 për qind. Kjo rritje e aktivitetit ekonomik është gjeneruar si nga kërkesa e brendshme ashtu edhe nga eksportet neto. Rritja e theksuar e eksportit të mallrave dhe shërbimeve, si dhe ngadalësimi i rritjes së importit, ndikuan pozitivisht në rritjen e Prodhimit të Brendshëm në vitin 2019”, thuhet në raport.
BQK thotë se rritja ekonomike për këtë vit, ishte kryesisht rezultat i rritjes së aktivitetit në sektorin e aktiviteteve financiare.
“Në aspekt sektorial, rritja ekonomike në vitin 2019 ishte kryesisht rezultat i rritjes së aktivitetit në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit, pasuar nga sektori i industrisë përpunuese dhe nxjerrëse, si dhe sektori i ndërtimtarisë dhe ai i tregtisë. Ndërsa, rënie e aktivitetit vlerësohet të jetë shënuar në sektorin e bujqësisë, sektorin e furnizimit me energji elektrike dhe sektorin e artit. Vlerësimet për rritjen e vlerës së shtuar në sektorin e industrisë mbështetën edhe nga rritja e evidentuar në indeksin e qarkullimit industrial në vitin 2019”, thotë BQK, përcjell Telegrafi.
Raporti tregon se për këtë vit inflacioni ka arritur në 2.7 për qind.
“Në vitin 2019, përshpejtimi i rritjes së çmimeve të importit ka reflektuar edhe në përshpejtimin e rritjes së çmimeve të konsumit në ekonominë e Kosovës. Norma mesatare vjetore e inflacionit, shprehur përmes indeksit të çmimeve të konsumit, ishte 2.7 për qind (1.1 për qind në vitin 2018). Për vitin 2020, parashikimet tona sugjerojnë një shkallë të inflacionit prej rreth 0.8 për qind”, thuhet në raport.
Statistikat e tregut të punës në Kosovë tregojnë për shkallë të lartë të normës së papunësisë, megjithëse krahasuar me vitin paraprak, rezulton të jetë shënuar rënie e shkallës së papunësisë.
“Shkalla mesatare e papunësisë në vitin 2019 ishte 25.7 për qind apo 3.9 pikë përqindje më e ulët krahasuar me vitin paraprak. Në vitin 2019, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore në Kosovë ishte 40.5 për qind, që krahasuar me vitin 2018, tregon për një rënie të shkallës së pjesëmarrjes në fuqinë punëtore për 0.4 pikë përqindje”, thotë BQK-ja, përcjell Telegrafi.
Në vitin 2019, sektori i jashtëm i Kosovës u karakterizua me zvogëlim të deficitit të llogarisë rrjedhëse dhe kapitale në 410.2 milionë euro (5.8 për qind e BPV-së), një rënie vjetore prej 19.4 për qind, kryesisht si rezultat i ngadalësimit të rritjes së deficitit të mallrave, si dhe rritjes së bilanceve pozitive të shërbimeve, të ardhurave parësore dhe dytësore.
Banka Qendrore e Kosovës thotë se nuk ka pasur rritje të konsiderueshme të IHD-ve.
“Në kuadër të llogarisë financiare, Investimet e Huaja Direkte (IHD) në Kosovë shënuan nivel pothuajse të ngjashëm me vitin paraprak prej 271.8 milionë euro”, njofton BQK.
Për sa i përket dërgesave nga diaspora, gjatë vitit 2019 ka pasur një rrjtje vjetore prej 6.4 për qind.
“Remitencat e pranuara në Kosovë, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore, arritën vlerën prej 851.7 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 6.4 për qind”, përfundon raporti.
Për vitin 2020, Banka Qendrore ka parashikuar se ekonomia e Kosovës, si shkak i pandemisë COVID-19, do të tkurret me 7.2 për qind.
Po ashtu, rënie prej 5 për qind e ekonomisë për këtë vit dhe rritje të saj prej 4 për qind për vitin e ardhshëm, parashikon Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
BERZH në raportin “Perspektiva ekonomike rajonale: COVID-19 – vlerësimet e hershme të dëmit, perspektiva të pasigurta”, thotë se me fillimin e pandemisë, shkalla e rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto u ngadalësua.
“Me fillimin e pandemisë COVID-19, shkalla e rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto në Kosovë në tremujorin e parë të vitit 2020 u ngadalësua në 1.3 për qind nga 4.2 për qind që ishte në vitin 2019. Ngadalësimi erdhi kryesisht si pasojë e rënies së investimeve, poshtë nivelit prej 9 për qind nga viti në vit dhe ndërtimeve, poshtë nivelit 12 për qind. Eksportet e shërbimeve, të cilat lidhen kryesisht me diasporën dhe vizitat e tyre në vend, në gjysmën e parë të vitit 2020, regjistruan një rënie prej 35 për qind nga viti në vit”, thotë BERZH.
Kujtojmë se në muajin maj, BERZH kishte parashikuar që për vitin aktual, rënia ekonomike do të jetë 5 për qind, kurse rikthimi i saj për vitin e ardhshëm do të jetë 7.5 për qind.