Rritje e frikshme e rasteve me koronavirus në Brazil

22:43 | 25 April 2020

Rritje dramatike e rasteve me koronavirus në Brazil.

Rastet e reja me koronavirus po mbushin spitalet dhe varrezat në gjithë Brazilin, ndërsa kombi më i madh i Amerikës Latine po shndërrohet në pikën e nxehtë të pandemisë në botë.

Zyrtarët e shëndetësisë në Rio de Janeiro dhe në të paktën katër qytete të tjera të mëdha, kanë paralajmëruar se spitalet e tyre janë në prag të kolapsit për shkak të mbipopullimit me pacientë.

Ekspertët e shëndetësisë thonë se numri i infeksioneve në vendin me një popullsi prej 211 milionë banorësh mund të jetë shumë më i lartë se sa është raportuar, kjo për shkak të testimit të pamjaftueshëm e të vonuar.

Ndërkohë Presidenti Jair Bolsonaro nuk ka treguar asnjë shenjë të tërheqjes nga qëndrimi i tij se COVID-19 është një sëmundje relativisht e lehtë dhe se marrja e masave të gjera sociale, nuk do ta ndalnin përhapjen e infeksionit. Ai ka thënë se vetëm brazilianët në rrezik të lartë duhet të izolohen.

Zyrtarët në Manaus, qyteti më i madh në rajonin e Amazonës, thanë se janë detyruar të hapin varreza masive për shkak të numrit shumë të lartë të vdekjeve. Varrmihësit po varrosin 100 kufoma në ditë, ose trefishi i mesatares para shpërthimit të infeksionit.

Komento: