Rruga e ‘zvarritjes’ Prishtinë – Podujevë

08:21 | 17 Gusht 2023
rruga-e-‘zvarritjes’-prishtine-–-podujeve


Fati i njëjtë, si autostradën e Gjilanit, e ka përcjell edhe rrugën Prishtinë – Podujevë.

Punimet në të cilën janë duke u zvarritur tash e 6 vite prej kur kanë nisur. Vonesat po vazhdojnë edhe në Qeverinë Kurti.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu qysh në fillim të vitit 2023 kishte premtuar se brenda 2 muajsh do të përfundojë rruga.

Kjo s`ka ndodhur. Dikasteri që ai drejton u ka ndarë 38 milionë euro operatorëve ekonomikë, nga to 8 milionë për kompaninë e Bujar Shabanit, dostin e numrit dy në Ministri, Hysen Durmishit.

Front Online kishte raportuar ekskluzivisht për këtë kontratë, ky dyshohej se bëhej fjalë për konflikt të pastër interesi. Kjo sepse në bazë të dokumenteve të siguruara shihej se kontratën milionëshe Durmishi ia kishte nënshkruar vetë mikut të tij, ani pse mohonte diçka të tillë, raporton “Front Online”.

Madje Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar kontrata me kompani për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, ani se për fituesin e njërit prej loteve të tenderit pati ankesë të pashqyrtuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Kjo bie kategorikisht ndesh me Ligjin e Prokurimit Publik.

Para disa javësh kryeministri Albin Kurti inauguroi punimet për zgjerimin e rrugës Podujevë-Prishtinë.

Sipas tij, kjo rrugë do të kryhet për një vit.

“15 km është gjatësia e rrugës të cilën po e zgjerojmë. Vlera e projektit është 35 milionë euro. Për 365 ditë pune do të përmbyllet pritja shumëvjeçare. Urime të gjithëve!”, shkroi Kurti.

Komento: