Rrugëtimi i Albin Kurtit nga “nuk e njoh flamurin, simbolet e himnin e Kosovës deri te Pavarësia është arritje e madhe historike”

16:33 | 19 Shkurt 2024
rrugetimi-i-albin-kurtit-nga-“nuk-e-njoh-flamurin,-simbolet-e-himnin-e-kosoves-deri-te-pavaresia-eshte-arritje-e-madhe-historike”

Nuk e uronte Pavarësinë e shtetit të vet e që u bë shteti më i ri në botë, pas okupimit e vuajtjeve disavjeçare.

Thoshte se nuk ka as arsye për ta festuar Pavarësinë.

Nuk i njihte as simbolet shtetërore, e flamurin e quante lara-lara.

E keqpërdori flamurin kombëtar, duke ofenduar flamurin shtetëror.

Thoshte se flamuri shtetëror nuk  është aq i qëndrueshëm, për shkak se nuk është as historik dhe as demokratik dhe sepse nuk është zgjedhur me referendum.

Kur pyetej se pse lideri më i madh opozitar ka këtë qëndrim, thoshte se Kosova nuk ka fituar substancë të Pavarësisë.

“Ne atë flamur nuk e kemi sjell, atë flamur e kemi gjet aty. Ai është një flamur që nuk do ta valojmë”, thoshte lideri më i madh opozitar, Albin Kurti,  i nominuar në vitin 2017 nga Vetëvendosja si kandidat për Kryeministër të Kosovës.

Deklaratat e tij janë të njohura se Pavarësia e Kosovës ka ardhur pikërisht nga protestat e 10 Shkurtit 2007 të organizuar nga Vetëvendosje, ky manifestim masiv që i ndryshoi mendjen ndërkombëtarëve dhe vetë Ahtisaarit se Kosovës nuk mund t’i jepej një pavarësi e cunguar.

Ajo që bie në sy është edhe fakti se gjatë gjithë karrierës së tij politike si opozitar, Kurti pranë xhepit të xhaketës ka mbajtur flamurin shqiptar.

Ngjashëm vepruan edhe deputetët e zyrtarët që vinin nga partia e tij.

Thirreshin në idenë e premtimin kryesor se do të angazhohen fuqishëm për Bashkim Kombëtar.

Nuk e respektonin himnin shtetëror as në tubime e ngjarje të rëndësishme për Kosovën.

Por, nuk mbeten gjatë në qëndrimet e tyre.

Me të fituar besimin e qytetarëve për të udhëhequr me shtetin, Kurti me vartësit e tij ndërruan komplet qëndrimet e tyre.

Në mbledhjen e parë të qeverisë, Kurti zgjodhi që mos të ketë asnjë ngjyrë kuqezi afër duke zbehur menjëherë pas fitores çdo lidhje me Shqipërinë.

Ndryshe nga deklaratat e hershme ku ai kishte theksuar se nuk do ta njihte flamurin e Kosovës dhe se njihte veç shqiponjën dykrenare në fushë të kuqe, Kurti jo vetëm që i pranoi por edhe me krenari flet sot nga karriga e udhëheqësit të Qeverisë së Kosovës.

“Besoj se pavarësia e Kosovës është një e arritur e madhe historike”, thoshte ai me 17 Shkurt 2022.

Ngjashëm si lideri, po veprojnë edhe shumë varës të tij me deklarata të pamatura e që po shkaktojnë edhe reagime ndërkombëtare.

Një të tillë e bëri ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, kur tha se “Kosova shtet i pavarur është projekt i përkohshëm që ka me marrë një rrugë”.

Kjo deklaratë i kushtoi Kosovës.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit e thirrur nga Serbia u përmend kjo deklaratë  e Aliut.

Përfaqësuesi i Rusisë në OKB, Dmitry Polyanskiy, në fjalën e tij në KS të OKB-së e citoi Aliun ku thoshte se Kosova është proces kalimtar drejt bashkimit me Shqipërinë.

“E konfirmoj që për mua Kosova, në rrethanën në të cilën është, me Kushtetutë e këto gjëra, është projekt i përkohshëm. Është proces kalimtar drejt bashkimit me Shqipëri. Sqarimet më tej i bëjmë bashkë kur të kthehem në Kosovë”, kishte thënë Aliu.

Kurti jo vetëm si opozitar, por edhe si Kryeministër i ndryshoi qëndrimet.

Çdo vit nga një qëndrim.

Në vitin 2021, ai ka thënë dialogu me Serbinë nuk është prioritet i tij, në vitin 2020 është zotuar se marrëveshje me Serbinë do të jetë pa asociacion dhe me njohje reciproke në qendër.

Nuk kishte vonuar shumë dhe në vitin 2022 dialogu ishte bërë ndër prioritet kryesore të tij.

Kurti pranoi Planin e BE-së, i cili në qendër ka Asociacionin.

Ai tani po akuzohet nga partneri më i madh, aleati i Kosovës SHBA-ja, se nuk po koordinohet me të për vendime të rëndësishme për shtetin, dhe si rrjedhojë po vë në pikëpyetje partneritetin ndërmjet dyja vendeve.

 

Komento: