Rrukiqi thirrje për bizneset: Respektoni masat sepse mund të kthehemi në pikën zero

10:38 | 08 Qershor 2020

Ditëve të fundit është rritur numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka porositur bizneset që t’i respektojnë masat mbrojtëse ndaj virusit COVID-19.

Rukiqi me anë të një shkrimi në Facebook, ka thënë se nëse këto masa nuk respektohen, atëherë gjithçka do të kthehet në pikën zero.

“Kemi bërë shumë përpjekje dhe mund për të lejuar hapjen graduale të ekonomisë edhe shumë më shpejtë se vendet tjera, por gjithçka mund të kthehet në piken zero, nëse masat për të cilat jemi zotuar që do t’i respektojmë, nuk respektohen, sidomos ne bizneset ku ka grumbullime dhe turma. Bota ka filluar t’i kthehet normalitetit, por ky normalitet tani i ka rregullat e veta. Rregull mbi rregullat është kujdesi për veten dhe të tjerët, duke mbajtur distancën, duke mbajtur maskat (sidomos stafi) dhe duke bere dezinfektime te rregullta”, ka shkruar Rukiqi.

Sipas tij, sa më shpejtë të ketë përfundim të pandemisë aq më shpejtë do të jetë rimëkëmbja ekonomike.

“Mospërhapja e virusit dhe shkuarja drejt përfundimit zyrtar të pandemisë na lejon të fokusohemi në pjesën e masave për rimëkëmbjen e ekonomisë. Sa me shpejt që kemi përfundim zyrtar të pandemisë, aq më e shpejtë do të jetë rimëkëmbja ekonomike”, thotë ai.
Kujtojmë se më 1 qershor ka filluar zbatimi i masës së tretë për hapjen e bizneseve.

Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje.

Komento: