RTK-ja ofron pune për katër gazetarë ukrainas

00:00 | 18 Prill 2022

RTK u ka dhënë mundësi punësimi gazetarëve ukrainas.

Bordi i Radio Televizionit Publik ka njoftuar se do të ofrojë hapësira pune për katër gazetarë nga Ukraina.

RTK-ja ka bërë të ditur se pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për strehimin e 20 gazetarëve nga Ukraina, në koordinim me Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Bordi dhe Menaxhmenti i Radio Televizionit të Kosovës në mbledhjen e mbajtur të shtunën me datë 16 Prill 2022, kanë vendosur të ofrojnë hapësirat e transmetuesit publik (zyra, tavolina, qasje në internet dhe të gjitha pajisjet përkatëse të punës) për katër gazetarë nga Ukraina.

Sipas njoftimit, Radio Televizioni i Kosovës planifikon t’u ofrojë akomodim në hapësira të punës deri në gjashtë muaj katër gazetarëve ukrainas, të cilët u detyruan të largohen nga vendi i tyre pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

“Në përputhje me dokumentin zyrtar të këtij vendimi, prioritet do të kenë gazetaret gra të cilat do të zgjidhen nga Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dhe Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF). Radio Televizioni i Kosovës do të ndajë të gjitha pajisjet e nevojshme në hapësirat e veta të punës si në ndërtesën e televizionit ashtu edhe në atë të radios, ndërsa një bashkëpunim i ngushtë në këtë drejtim do të bëhet me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK)”, thuhet në njoftim.

Komento: