Radio Televizionin e Kosovës më në fund ka zgjedhur drejtorin e ri.
Ngadhnjim Kastrati ka marrë votat e 6 anëtarëve të bordit nga 7 që ishin të pranishëm për t’u zgjedhur drejtor i ri i RTK-së.
Mirëpo, pavarësisht kësaj, bordi ka kërkuar interpretim ligjor për shkak të paqartësive në ligj.
“Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) duke u bazuar në nenin 30 pika 7 të Ligjit për RTK-në sot ka votuar në mënyrë të hapur për kandidatët për Drejtor të Përgjithshëm. Kandidati i parë ka marrë 6 vota për dhe një kundër”, ka thënë Afërdita Maliqi, kryetare e Bordit të RTK-së.
“Bazuar në nenin 30, pika 4, ku thotë se ‘kuorumi mbledhjeve të Bordit është gjashtë (6) anëtarë’, dhe meqenëse neni 32.3 i Ligjit për RTK-në është i paqartë rreth cilësimit të 2/3 të anëtarëve, Bordi ka vendosur që të kërkojë interpretim ligjor për këtë nen. Pas marrjes së interpretimit ligjor, Bordi do ta konstatojë gjendjen”, tha Maliqi për Indeksonline.