Rukiqi alarmon: Mosmiratimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike mund të shkaktojë dëme të pariparueshme

09:32 | 04 October 2020

“Mosmiratimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike mund të shkaktojë dëme të pariparueshme”.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka vlerësuar se vonimi i miratimit të Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, rrezikon që vendin ta shpije në një kolaps ekonomik.

Ai thotë se dëmet që mund të shkaktohen nga vonesa e miratimit të këtij projektligji,siç janë mbyllja e bizneseve apo humbja e vendeve të punës, do të jenë të pariparueshme.

“Sa më shumë që po vonohet votimi i Projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike, kriza po thellohet, dhe pastaj kur të fillohet është shumë vështirë të rikuperohet. Disa dëme janë të pariparueshme. Nëse vijmë në situatë për tu mbyllur mijëra biznese, dhe mijëra vende pune, ato nuk i rregullon asnjë ligj dhe përkrahje financiare. Ne jemi në fazë shumë delikate dhe e secila ditë po bëhet më e vështirë”, tha Rukiqi.

Ai ka kritikuar deputetët e Kuvendit, që sipas tij, nuk kanë vullnet për ta miratuar projektligjin. Rukiqi thotë se mirëqenia e tyre dhe militantëve që kanë punësuar nuk është rrezikuar, por, se shumica e qytetarëve janë prekur nga kriza që ka shkaktuar pandemia.

“Ajo që unë po shoh te skena politike është dështimi për ta lexuar situatën. Shumica prej tyre nisen prej një pozicioni komod që e kanë. Përderisa ata nuk janë të ndikuar nga kriza, për këtë pjesë të skenës politike pozitë dhe opozitë, nuk ka një lloj urgjence për të vepruar. Situata është shumë ma ndryshe se është shkaktuar nga pandemia dhe janë globale. Këto raste i kemi këtu dhe mund të shumëfishohen dhe pastaj nëse nuk intervenohet në kohën e duhur me mekanizma të duhur ne do ta shohim një kolaps ekonomik shumë shpejt”, shtoi Rukiqi për EkonomiaOnline.

Sipas tij, në bazë të dhënave zyrtare krahasuar me vitin e kaluar këtë vit për shkak të pandemisë dëmi i përgjithshëm në ekonomi ose rënia e qarkullimit tek bizneset ka arritur vlerën 1 miliard euro.

“Ne kemi një raport zyrtar nga ATK-ja dhe nëse e krahasojmë periudhën e njëjtë të vitit të kaluar në periudhën prej kur jemi në masa kufizuese për shkak të pandemisë ka mesi i marsit dhe muaji gusht dëmi i përgjithshëm në ekonomi ose rënia e qarkullimit tek bizneset ka arritur vlerën 1 miliard euro. Kjo reflektohet edhe në performacën ekonomike të vendit apo në bruto prodhimin vendor gjë që do të reflektojë në një tkurrje ekonomike që do të jetë jo më e vogël se 5%. Për neve është shumë sepse na pamundëson të mbajmë trendin që e kemi pasur të rritjes ekonomike”, tha ai.

Ai tha se bizneset nuk kanë mundësi ta paguajnë pagën që e kanë paguar para pandemisë.

Sipas Rukiqit nëse nuk kalon ligji duhet të diskutohet për mekanizma të tjerë.

“Bizneset nuk kanë mundësi ta paguajnë pagën që e kanë paguar para pandemisë. Normalisht kjo do të shkaktojë pakënaqësi, por pagat nuk mund të mbesin artificialisht të larta sidomos kur kemi rënie të qarkullimit dhe shpenzimet mbesin të njëjta. Kam pritur që do të ketë përkrahje për likuiditetin e kompanive dhe do të ketë rritje të fuqisë blerëse dhe gjendja deri në fund të vitit do të përmirësohet. Tani jemi në një status kohë edhe te vendimet e qeverisë edhe tek bizneset mirëpo nëse veç shihet që nuk kalon ligji atëherë duhet të fillojmë me diskutu mekanizma tjerë. Është marrë vendim i duhur për likuiditetin e kompanive që shkon për pagat e punëtorëve dhe iu shpërndahet kompanive të cilat realisht do ta kenë më të lehtë ti paguajnë pagat e punëtorëve”, u shpreh Rukiqi.

Sipas tij, arrestimet nga Gjykata Speciale nuk mund të paraqesin problem për ardhjen e investitorëve në Kosovë, në këto momente.

“Kosova ka probleme me imazhin me apo ka Gjykatën Speciale. Nuk shoh ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë të Gjykatës Speciale në raport me investimet e huaja tani për tani. Kosova veç e ka një dëm, mirëpo nëse proceset në gjykatë janë të stërzgjatura dhe Kosova është vazhdimisht temë në mediat botërore për shkak të një gjyqi të padrejtë atëherë kjo mund t’i ketë ndikimet e veta. Gjykata speciale duhet të jetë shumë transparente sepse është një problem që e ka Kosova sepse do të jetë titujt e medieve botërore dhe sa më gjatë të jetë kjo periudhë dëmi është më i madh edhe në raport me investimet dhe imazhin e vendit. Është në interes të vendit ta kemi një proces që të mbyllet shpejt”shtoi ai.

Kryetari i OEK-ut tha se pas marrëveshjes në Ëashington duhet të investohet më shumë në pjesën e imazhit për Kosovën, për të siguruar investime.

“Këto vizitat e fundit që i kemi pasur të delegacionit amerikan këtu e kemi trajtuar gjerësisht pjesën e imazhit dhe e kanë parë që ajo që transmetohet jashtë Kosovës dhe ajo çka është në realitet është dallim i madh. Dhe kjo është një pjesë që duhet të investojmë shumë. Edhe kompanitë në Azinë e largët po lëvizin drejt vendeve më të sigurta ku ka më shumë stabilitet. Duhet të shfrytëzohet edhe diaspora e cila është një promotor i mirë i vendit. Po për të qenë ata promotor duhet të krijohen kushte për ta. Duhet të punojmë që të kemi stabilitet politik. Brenda një periudhe më pak se dy vjet ku Kosova i ndërron tri qeveri dhe jemi vend jo stabil politik”, tha Rukiqi.

Komento: