Rusia dhe Bjellorusia e bëjnë edhe këtë veprim për të rritur presionin ndaj Ukrainës

14:34 | 20 February 2022

Rusia dhe Bjellorusia do të zgjasin stërvitjet ushtarake, që ishin planifikuar të përfundonin të dielën, më 20 shkurt. Kështu tha ministri i Mbrojtjes së Bjellorusisë.

Ky njoftim po shihet si rritje e presionit ndaj Ukrainës, derisa liderët perëndimorë po paralajmërojnë se pushtimi rus është i pashmangshëm.

Ministri i Mbrojtjes së Bjellorusisë, Viktor Khrenin, tha se vendimi për zgjatjen e ushtrimeve është marrë “në lidhje me rritjen e aktivitetit ushtarak pranë kufijve të jashtëm” të Rusisë dhe Bjellorusisë dhe për shkak të rritjes së tensioneve në rajonin Donbas, në lindje të Ukrainës.

NATO ka thënë se Rusia ka dislokuar 30,000 trupa në Bjellorusi, të cilat mund të përdoren për sulmin ndaj Ukrainës, edhe pse Moska mohon se ka plane të tilla.

Kryeministri britanik, Boris Johnson tha në një intervistë për BBC se presidenti amerikan, Joe Biden, u ka thënë liderëve perëndimorë se të dhënat e inteligjencës sugjerojnë se forcat ruse nuk po planifikojnë të hyjnë në Ukrainë nga lindja, përmes rajonit të Donbasit, por nga Bjellorusia, në pjesën afër Kievit.

SHBA-ja beson se Rusia ka grumbulluar 190,000 trupa ushtarake përgjatë kufijve të Ukrainës. Në këtë shifër përfshihen edhe separatistët e mbështetur nga Rusia që po luftojnë me forcat qeveritare ukrainase në lindje të Ukrainës.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se është i bindur që presidenti rus, Vladimir Putin, ka vendosur që ta pushtojë Ukrainën./REL/

Komento: