Rusia shkel hapësirën ajrore të Moldavisë, Kallas: Qielli i Moldavisë nuk mund të bëhet viktimë e luftës së Rusisë

21:56 | 29 Nëntor 2025
Rusia shkel hapësirën ajrore të Moldavisë, Kallas: Qielli i Moldavisë nuk mund të bëhet viktimë e luftës së Rusisë

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Marrëdhënie me Jashtë, Kaja Kallas, ka dënuar ashpër shkeljen e hapësirës ajrore të Moldavisë nga dronët rusë, duke e cilësuar këtë akt si të papranueshëm dhe të rrezikshëm për trafikun ajror civil.

Në një reagim zyrtar, Kallas theksoi se veprime të tilla janë të rrezikshme dhe përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e fluturimeve civile.

“Shkeljet e hapësirës ajrore të Moldavisë nga dronë rusë janë të papranueshme dhe vënë në rrezik trafikun ajror civil,” tha ajo.

Ajo gjithashtu theksoi angazhimin e BE-së për të mbështetur sigurinë ajrore të Moldavisë, duke njoftuar se BE-ja ka investuar 20 milionë euro këtë vit për mbrojtjen ajrore të vendit.

“BE-ja po investon 20 milionë euro këtë vit në mbrojtjen ajrore të Moldavisë për të ndihmuar në forcimin e sigurisë së vendit,” shtoi Kallas.

Kujtojmë se Moldavia, e cila ndodhet në kufi me Ukrainën, u detyrua të mbyllte hapësirën ajrore pas sulmeve ruse me dronë, duke e bërë qiellin e saj një zonë të rrezikuar nga agresioni i vazhdueshëm rus.

“Qielli i Moldavisë nuk mund të bëhet viktimë e luftës së Rusisë,” përfundoi Kallas.

Komento: