
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka paralajmëruar se nuk ka asnjë shenjë që Rusia do të ndryshojë sjelljen e saj agresive në të ardhmen e afërt, duke theksuar se kërcënimet ndaj sigurisë euroatlantike do të vazhdojnë.
Në një deklaratë të fortë, Rutte tha se Rusia po ndjek një strategji për përballje afatgjatë dhe se nuk vepron e vetme, por në bashkëpunim me Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut. Sipas tij, ky realitet e bën edhe më urgjente nevojën për një angazhim më të madh nga aleatët evropianë dhe Kanadaja.
“Ka përfunduar koha kur ne lejonim që Shtetet e Bashkuara të mbanin barrën kryesore të sigurisë sonë”, u shpreh Rutte, duke nënvizuar se edhe pse SHBA-ja mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj NATO-s, ajo pret prej kohësh që aleatët e tjerë të marrin më shumë përgjegjësi.
Ai shtoi se rritja e investimeve në mbrojtje dhe forcimi i kapaciteteve ushtarake kombëtare janë thelbësore për garantimin e sigurisë kolektive të Aleancës.
“Kjo është vetëm e drejtë,” përfundoi Rutte, duke theksuar nevojën për një ndarje më të balancuar të përgjegjësive brenda NATO-s.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë tensionesh të shtuara gjeopolitike dhe diskutimesh intensive mes vendeve anëtare për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe përgatitjen ndaj sfidave të reja të sigurisë. /Telegrafi/
NATO’s Rutte:
The time when we conveniently let the United States carry the burden for our security is over.
The U.S. is absolutely committed to NATO, but this commitment comes with a clear and long-standing expectation that Europe and Canada take more responsibility for their… pic.twitter.com/b3X4vyoY0X
— Clash Report (@clashreport) January 13, 2026