Rutte: KFOR-i është aty pavarësisht aktgjykimit në Hagë për ish-krerët e UÇK!

16:55 | 14 Shtator 2026

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se përkushtimi i Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë do të mbetet i pandryshuar, pavarësisht zhvillimeve të mundshme pas shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pritet të shpallin më 16 shtator aktgjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, në çështjen ku akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të katër janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha dhjetë pikat e aktakuzës.

Rutte tha se KFOR-i ndodhet në Kosovë për të kontribuar në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes, ndërsa misioni paqeruajtës i NATO-s, sipas tij, ka luajtur rol për më shumë se dy dekada në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm.

Deklarata e tij erdhi në përgjigje të pyetjes nëse NATO është e shqetësuar për mundësinë e trazirave të dhunshme në Kosovë dhe rajon, në varësi të vendimit që do të shpallet në Hagë.

Shefi i NATO-s theksoi se Aleanca do të vazhdojë të vlerësojë përbërjen dhe vendosjen e trupave të KFOR-it, në mënyrë që misioni të përshtatet me situatën e sigurisë në Kosovë.

Ai nënvizoi gjithashtu se zhvillimet në Kosovë kanë ndikim edhe në stabilitetin e rajonit më të gjerë.

Deklaratat e Ruttes vijnë disa orë pasi Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë u bëri thirrje shtetasve amerikanë që të shmangin lëvizjet pranë vendeve ku, sipas saj, janë paralajmëruar protesta më 16 shtator. (Radio Evropa e Lirë)

Komento: