Rritja e rasteve me Metapneumovirus (HMPV) në Kinë ka ngjallur shqetësime për mundësinë e përhapjes së këtij virusi në vende të tjera.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës informoi qytetarët e vendit të hënën mbi këtë situatë, duke theksuar rëndësinë e masave parandaluese dhe kujdesit shëndetësor.
Aktualisht nuk ka asnjë rast të konfirmuar me HMPV në Kosovë.
Metapneumovirusi njerëzor (HMPV) është një virus respirator që shkakton simptoma të ngjashme me ato të gripit dhe ftohjes, por mund të rrisë rrezikun e komplikacioneve të rënda, si bronkiti apo pneumonia, veçanërisht te të moshuarit dhe fëmijët e vegjël.
Ky virus është pjesë e të njëjtës familje si virusi respirator sincicial (RSV) dhe u identifikua për herë të parë në Holandë në vitin 2001.
HMPV shpesh përhapet gjatë sezoneve të ftohta, kur infeksionet respiratore janë më të zakonshme.
Në Kinë është raportuar për rritje të rasteve me virusin HMPV në javët e fundit.
Infektologu Ahmeti: HMPV nuk plotëson kriteret për të qenë pandemi e përmasave të Covidit
Në lidhje me këtë virus, Sali Ahmeti, infektolog, ka shpjeguar se HMPV është një virus i ri që manifeston infeksione të rrugëve të frymëmarrjes dhe zakonisht shfaqet gjatë dimrit dhe kah fundi i vjeshtës. Ai e ka krahasuar këtë virus me gripin, duke theksuar se në shumicën e rasteve, simptomat janë të lehta dhe përfshijnë ethe, lodhje, plogështi, zënie hundësh dhe kollitje. Në raste më të rënda, mund të ndodhin fishkëllima të mushkërive dhe komplikacione të tjera si bronkiti apo pneumonia.
‘’Është një virus që manifestohet me manifestime klinike zakonisht të lehta që shfaqen me ethe lodhje, plogështi zënie hundësh e kollitje e në raste më të rënda ndonjëherë mund të ketë edhe fishkëllima të mushkërive dhe kjo pra është forma më e zakonshme e tij në shumicën e rasteve. Pra ky kalon lehtësisht, në formën e një ftohjeje të zakonshme dhe në shumicën e rasteve përfundon kështu ndërsa në raste më të rënda mund të manifestohet me bronkit infeksion të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes apo edhe me formë të prekjes së mushkërive në formë të pneumonisë’’, deklaroi Ahmeti.
Ahmeti ka shtuar se HMPV mund të kalojë lehtësisht si një ftohje e zakonshme, por në disa raste më të rënda, mund të kërkojë trajtim serioz, përfshirë oksigjen dhe ndihmë mjekësore të specializuar. Ata që janë më të rrezikuar janë ata me imunitet të dobët, të moshuarit, personat me sëmundje kronike të mushkërive, astmë, ose diabet. Fëmijët parashkollorë dhe foshnjat gjithashtu mund të preken, dhe mund të shfaqen forma më të rënda të infeksionit në rastet e caktuara.
‘’ Në rastet e tilla manifestime klinike janë më të rënda kërkojnë mjekim serioz nganjëherë mjekim me oksigjen, zakonisht këto shfaqen më shumë te personat me imunitet më t dobët te të moshuarit ,personat me sëmundje kronike të mushkërive, personat që vuajnë nga astma e nga sëmundje tjera’’, deklaroi Ahmeti.
Krahas simptomave klinike të zakonshme të gripit sipas Ahmetit diagnoza e HMPV mund të bëhet më e saktë me teste të specializuara, duke përfshirë testet PCR dhe analiza të tjera të mostreve nga gryka apo hunda.
‘’ Krahas shenjave klinike të një gripi të zakonshëm ku diagnoza klinike është vështire e dallueshme nga viruset respirator atëherë kjo mund të vërtetohet me teste specifike me marrjen e një mostre nga gryka apo hunda dhe verifikime me të ashtu quajturin testet e pcr por edhe të tjera’’, theksoi infektologu Ahmeti.
Si përhapet Metapneumovirusi?
HMPV shpërndahet lehtësisht përmes kontaktit të afërt me individë të prekur, siç janë spërklat gjatë kollitjes apo teshtitjes, dhe ndotja e sipërfaqeve të kontaminuara. Mjekët rekomandojnë që personat që shfaqin simptoma të qëndrojnë në shtëpi dhe të ndjekin udhëzimet mjekësore. Dhomat duhet të ajrosen, ndërsa përdorimi i maskave dhe konsumimi i vitaminave të ndryshme janë gjithashtu të rekomanduara sipas Ahmetit.
‘’Përhapja është e ngjashme me përhapjen e viruseve të tjera respiratore pra infeksioni mund të bartet me kontakt të afërt si spërklave të cilat nxirren me kollitje apo teshtitje por edhe duke prekur sipërfaqet apo objektet e kontaminuar nga I sëmuri dhe nëse me këto duar pa i larë e përcjellim infeksionin por kryesisht përhapet me kontakte të afërta ky lloj virusi.
Masat preventive konsistojnë që ata që kanë simptoma duhen izoluar të rrinë në shtëpi dhe të veprojnë sipas udhëzimeve të mjekëve, duhen ajrosur dhomat, duhet ikur nga ambientet e mbyllura nëse veç gjendemi në këto vende duhet përdorur maska dhe duhet përdorur vitamina’’, tha Ahmeti për FrontOnline.
Në rastet e infeksioneve të lehta Ahmeti thotë se mjekimi mund të përfshijë përdorimin e paracetamolit, lëngjeve dhe vitaminës D, ndërsa në rastet më të rënda mund të kërkohet trajtim mjekësor më intensiv, përfshirë trajtim me oksigjen.
‘’ Mjekimi bëhet më dhënien medikamente si paracetamoli, lëngje freskuese vitamina D, ujë, pra në rasttet e lehta mirëpo në rastet më të rënda mjekimi varet nga shkalla e pneumonisë’’, deklaroi Ahmeti.
Dr. Ahmeti gjithashtu ka theksuar se megjithëse situata në Kinë ka ngritur shqetësime, HMPV nuk përmbush kriteret për të shpallur një pandeminë, pasi shkalla e përhapjes dhe rreziku i këtij virusi është shumë më i ulët krahasuar me COVID-19. Ai ka theksuar se ky virus, edhe pse ka shkaktuar shqetësime, është më i lehtë dhe nuk është aq i rrezikshëm sa për të krijuar një krizë të ngjashme me pandeminë e Covid-it mirëpo nuk përjashton mundësinë që të shfaqet në Kosovë.
‘’Rastet kanë filluar në Kinë, Indi e Greqi dhe ne nuk mund ta eliminojmë mundësinë që të kemi këtë virus pasi ka lëvizje të qytetarëve por mendoj që kjo sëmundje është bërë mediatike dhe ky virus nuk plotëson kriteret për të qenë pandemi e masave të Covidit është marrë shqetësuese kjo sepse na kujton Covidin sepse është shfaqur në Kinë2 dhe pikërisht në këtë kohë mirëpo ky virus është shumë më I lehtë dhe shkalla e përhapjes së tij është më e ulët dhe nuk paraqet rrezik për shpërthim’’, përfundoi Ahmeti