Koronavirusi është duke u përhapur në gjithë botën.
Ky vuris u shfaq vetëm në fund të vitit 2019, por tashmë ka shenja se mund të marrë goxha shumë kohë për disa pacientë para se ta marrin plotësisht veten. Koha e shërimit të plotë varet nga shkala e sëmundjes në rend të parë. Disa njerëz do të kenë më shumë telashe, por ka të tjerë që po e rimarrin veten shpejt.
Mosha, gjinia dhe çështjet e tjera shëndetësore krejt bashkë ndikojnë në ngritjen e rrezikut që sëmundja të bëhet edhe më serioze për pacientin me COVID-19. Sa më shumë që trajtoheni me sa më shumë ilaçe, natyrisht se edhe efektet e tyre do të jenë më jetëgjata.
Simptomat e lehta?
Shumica e njerëzve që sëmuren nga koronavirusi do të përjetojnë vetëm simptomat kryesore – kollitje dhe temperaturë. Por mund të përjetojnë edhe dhimbje trupi, plogështi, djegësim në fyt dhe kokëdhimbje.
Kollitja fillimisht është e thatë, por disa njerëz mund të kolliten edhe me mukozë pas një kohe për shkak të qelizave të vdekura të mushkërive të mbytura nga virusi. Këto simptoma trajtohen bashkë me të tjerat, me shumë lëngje dhe lehtësues dhimbjesh, si paracetamoli. Njerëzit me simptoma të lehta priren ta marrin veten më shpejt dhe më mirë. Ethet mund të zgjasin më pak se një javë, megjithëse kollitja mund të zgjatë më shumë, transmeton KOHA.
Sipas të dhënave të OBSH-së të nxjerra nga rastet në Kinë, duhen mesatarisht dy javë për ta marrë veten plotësisht.
Po nëse simptomat janë më serioze?
Për disa, sëmundja të bëhet më serioze. Kjo mund të ndodhë dhjetë ditë pas infeksionit. Transformimi mund të jetë i befasishëm. Mund të hasin në probleme për frymëmarrje dhe me inflacion mushkërish. Kjo ndodh edhe për shkak se duket se sistemi imunitar po lufton virusin, por në fakt mbivepron dhe krijon dëm kolateral. Disa njerëzve do t’u duhet trajtimi spitalor me terapi oksigjeni.
Pse duhet kujdesi intensiv?
OBSH-ja llogarit se një person në njëzet do të ketë nevojë për kujdes intensiv, që mund të mund t’i përfshijë ventilatorin dhe qetësuesit. Merr kohë për rikuperim nga kujdesi intensiv pavarësisht se cila është sëmundja. Pacientët zhvendosen në trajtim të rregullt spitalor para se të lirohen për shtëpi. Mjeku Alison Pittard nga Fakulteti i Mjekësisë së Kujdesit Intensiv ka thënë se duhen dymbëdhjetë deri në tetëmbëdhjetë muaj që pacienti t’i kthehet plotësisht normalitetit shëndetësor pas daljes nga kujdesi intensiv. Kalimi i kohës së gjatë në spital shkakton edhe humbje të masës muskulore.
Pacientët dobësohen dhe muskujve do t’iu duhet kohë për ta marrë veten. Disa pacientëve u duhet edhe terapi fizike për ta marrë veten. Për shkak të asaj nëpër të cilën kalon trupi në kujdes intensiv, ka mundësi edhe për çrregullime psikologjike. Ka pasur raporte nga pacientët e shëruar në Kinë e Itali se kanë përjetuar plogështi, frymëmarrje të shpeshtuar dhe shumë më shumë gjumë.
“Ne e dimë se pacientëve u duhet goxha një kohë, mbase edhe muaj, për ta rimarrë veten”. Por është e vështirë të përgjithësohet për shkak se disa njerëz e kanë kaluar relativisht lehtë kujdesin kritik, përderisa të tjerëve u janë dashur edhe javë. Ende nuk ka të dhëna se sa të gjata do të jenë pasojat shëndetësore të pacientit të shëruar nga COVID-19.
Sa persona janë shëruar?
Është e vështirë të nxirret një e dhënë zyrtare për shkak të shumë vështirësive. Sipas të dhënave të Universitetit Jonhs Hopkins, deri tani mbi pesëdhjetë mijë prej mbi dy milionë të prekurve janë shëruar. Të dhënat bazohen në pasqyrën e datës pesëmbëdhjetë prill.
Por secili shtet ka formë ndryshe të mbledhjes së shifrave. Modelet matematikore llogarisin se 99 deri në 99.5 për qind të të prekurve janë shëruar. Ka pasur raporte për infektim për së dyti, por edhe spekulime se testet ishin kryer gabimisht. Imuniteti është jetik për ta kuptuar nëse dikush mund të infektohet dy herë dhe se sa efikase mund të jetë vaksina që ende nuk është gjetur.