Sa prodhoi e sa importoi Kosova rrymë gjatë marsit, ASK publikon të dhënat

23:38 | 23 Maj 2023

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për prodhimin dhe konsumin e thëngjillit, prodhimin dhe konsumin e energjisë, importin dhe eksportin e energjisë, si dhe importin dhe eksportin e energjentëve të tjerë.

Gjatë muajit mars 2023, prodhimi bruto i energjisë elektrike: nga termocentralet ishte 539.65 GWh; nga hidrocentralet ishte 38.3 GWh; si dhe nga era dhe ajo solare ishte 31.3 GWh.

Energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 681.41 GWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 468.49 GWh, ose 7.46% më i vogël, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak. Pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në kuadër të konsumit të përgjithshëm ishte 14.86%.

Ndërkaq, importi i energjisë elektrike në mars 2023 ishte 264.47 GWh, kurse eksporti i energjisë elektrike në të njëjtën periudhë ishte 192.31 GWh (këtu është përfshirë edhe sasia e transmisionit).

“Prodhimi i thëngjillit ishte rreth 4.61 mijë ton, ose 27.56% më pak sesa në muajin e njëjtë të vitit paraprak”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Komento: