Pas muajsh lajmesh të mira, përfshirë rastet në rënie të Covidit dhe vaksinimit të vazhdueshëm, bota ka një problem: Variantin e koronavirusit që u shfaq në Indi – B.1.617.2 – dhe që ka filluar të përhapet në shumë vende. Shqetësimet janë shtuar gjatë javës së kaluar dhe shkencëtarët tani janë të bindur se ky variant përhapet më lehtë.
Por ka ende një pasiguri të madhe për përhapjen e variantit B.1.617.2.
“Kjo është një pyetje me të vërtetë kritike për të cilën ne ende nuk e kemi përgjigjen,” tha Prof Chris Whitty.
Sidoqoftë, grupi shkencor këshillues i qeverisë britanike për emergjencat (Sage), thotë se ekziston një “mundësi reale” që varianti indian mund të përhapet 50% më shpejt, që është shumë.
Ka disa vlerësime të tjera që vijnë nga India, të cilat thonë se trasmetueshmëria është 60%, por këto bazohen në sekuencat gjenetike të publikuara nga mostrat virale dhe nuk është e qartë se sa reale janë.
Sipas Sage, do të ishte vërtet problem një variant 40% më i transmetueshëm pasi do të sillte një ringjallje të shtrimeve në spital.
Pasiguria të kujton vitin e kaluar kur u zbulua për herë të parë varianti i ri në Kent dhe ngriti pyetje në lidhje me mundësitë për të kontrolluar virusin.
Megjithatë, është e rëndësishme të kujtojmë se nuk jemi në të njëjtën situatë me vitin e kaluar.