Sadiku: Prishtina këtë vit i ka ofruar 3 milionë e 500 mijë shërbime shëndetësore

08:09 | 30 Dhjetor 2023
sadiku:-prishtina-kete-vit-i-ka-ofruar-3-milione-e-500-mije-sherbime-shendetesore

Izet Sadiku, drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës ka bërë të ditur se në kryeqytet gjatë vitit 2023 janë ofruar 3 milionë e 500 mijë shërbime shëndetësore.

Sipas tij, gjendja në shëndetësi në Prishtinë është shumë e mirë.

“Institucionet e mjekësisë primare në Prishtinë i kanë dhënë 3 milionë e 500 mijë shërbime shëndetësore për një vit, që i bie 6 ose 7 për qind më shumë se në vitin e kaluar. Në krahasim me vitin 2018 është 25 për qind më shumë.”, tha ai.

Sadiku tha se shërbimi shtëpiak shëndetësorë në Prishtinë është forcuar shumë prej ardhjes së LDK-së në pushtet.

“Shërbimi shtëpiak jep shërbime për të gjithë qytetarët të cilët për arsye të ndryshme, të moshës apo sëmundjes nuk mund të shkojnë në mjekësi familjare. Kur kemi ardhur ne ky shërbim është ofruar pesë ditë në javë nga tetë orë. Ne prej1 marsit të vitit të kaluar e kemi bërë këtë shërbim 7 ditë nga 12 orë.”, ka theksuar Sadiku në ATV.

Ai ka thënë se për këtë shërbim janë katër ekipe që i ofrojnë 200 shërbime shtëpiake në një ditë.

“Ata që mund ta marrin këtë shërbim janë qytetarët që për shkak të moshës nuk mund të shkojnë në shtëpi të shëndetit dhe njerëzit me sëmundje të rënda.”, u shpreh Sadiku.

Sadiku tha se këtë vit janë dhënë mbi një milion shërbime laboratorike.

Drejtori Sadiku po ashtu bëri të ditur se tashmë Prishtina i ka tre mamografë.

Komento: