Sahiti jep lajme të këqija për tifozët ‘Dardan’ para takimit me Slloveninë

18:15 | 14 Nëntor 2020

Sahiti: Kemi shumë mungesa, ndeshja me Slloveninë shumë e vështirë.

Ndihmës trajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti iu drejtua mediave në konferencë për shtyp, një ditë para takimit ndaj Sllovenisë që zhvillohet në Ljubjanë.

“Kemi një ndeshje mjaft të vështirë kundër Sllovenisë që vërtetë është një skuadër mjaft kualitative. Pavarësisht kësaj, është ndeshja e parafundit për ne në Nations League. Në këtë situatë jonormale të pandemisë, kemi shumë mungesa. Kësaj i shtohen edhe lëndimet dhe dënimet që kemi por kjo nuk do të thotë se ne nuk do të japim maksimumin nesër” deklaroi Sahiti.

Në mungesë të Bernard Challandes që vazhdon të jetë i infektuar me Covid19, Sahiti do të udhëheq ekipin.

“Kemi disa lojtarë që nuk kanë minutazhë të mjaftueshme në klube dhe ky do të jetë një tjetër faktor. Kemi njohuri për Slloveninë, kemi punuar shumë në atë drejtim. Nesër do të bëjmë gjithçka për të arritur një rezultat pozitiv. Kemi shumë besim te grupi, tek lojtarët. Është shumë e rëndësishme të shohim reagimin e lojtarëve” shtoi trajneri gjilanas.

Komento: