67-vjeçarja Saime Domazeti u gjet e vdekur më 27 dhjetor 2022, në fshatin Kuk të Dragashit. Vrasja dyshohet se është kryer nga familjarët që me vite u kujdesën për të.
Por, kush ishte Saime Domazeti?
Saime Domazeti banonte në Kuk të Dragashit me kunatën si dhe me djalin e vëllait e me nusen e tij. Ajo nuk kishte fëmijë dhe vëllai i saj në shtëpinë e të cilit jetonte, kishte vdekur kohë më parë.
Domazeti kishte edhe probleme serioze me shëndetin. Kunata dhe familja e vëllait ishin kujdesur për të me vite të tëra. Fatkeqësisht, e njëjta familje që ishte kujdesur për të me vite, sot dyshohet se e vranë.
Për rrezikun që i kanosej Domazetit, shteti ishte në dijeni 48 ditë para vrasjes së saj.
Më 8 nëntor, Policia ishte informuar se Domazeti i ishte ekspozuar dhunës në familje. Pasi e kishte trajtuar rastin, Policia kishte informuar Prokurorin e Shtetit, i cili nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim parandalues, por rastin e kishte proceduar në procedurë të rregullt.
Policia kishte njoftuar edhe Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, të cilët nuk kishin paraqitur fare kërkesë për urdhër mbrojtës. Po ashtu, Policia e kishte njoftuar edhe Qendrën për Punë Sociale, të cilët nuk e referuan rastin në Strehimore dhe Domazeti vazhdonte të jetonte me të dyshuarit për dhunë ndaj saj, deri në ditën kur dyshohet se ajo u vra, pikërisht nga ta.
Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Saime Domazeti u vra në duar të shtetit, i cili me mosveprim ia mohoi asaj të drejtën në jetë.
Përkundër kësaj, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, thotë të mos i ketë shkuar dikujt në mend se do kryhej një vepër e tillë dhe se të njëjtën askush nuk do të mund ta parandalonte.
Ndryshe vlerësojnë në IKD, pasi sipas tyre kjo është vrasje në duar të shtetit.
Që nga 8 nëntori i 2022-ës, kur ishte raportuar rasti i dhunës në familje, institucionet kompetente nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për t’i ofruar mbrojtje viktimës Saime Domazeti, sipas obligimeve ligjore.
Lidhur me rastin e vrasjes, avokati i të dyshuarës Nazire Abdyli, Besim Morina thotë se ende nuk kanë pranuar raport të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML).
Prokuroria Themelore në Prizren, më 21 dhjetor 2022, kishte ngritur aktakuzë për dhunë në familje ndaj Nazire Abdylit dhe Jeton Abdylit. Kjo aktakuzë nuk paraqet asnjë prej llojeve të masave mbrojtëse.
Në këtë mënyrë, viktima Saime Domazeti kishte mbetur në mëshirën e të akuzuarve për kryerje të dhunës ndaj saj, të cilët nuk kishin mbajtur “premtimin” se do të kujdeseshin për të.
Më 26 dhjetor 2022 Saime Domazeti vdiq pas lëndimeve që dyshohet t’i ketë marrë në trup dhe fytyrë me copa të ndryshme druri, të cilat i kishin shkaktuar asaj gjakderdhje në tru.
Për këtë rast, dyshohet Nazire Abdyli kunata e të ndjerës, e cila gjendet në paraburgim, teksa para gjykatës ka pranuar se e ka goditur të ndjerën.
“Po e kam rreh vallahin, e kam rreh, mas 3-4 dite ka vdek. Po i dhashë ndihmë sa munda, po qaq munda, motër të burrit e kam pas, që 26 vjet u kanë në shpi teme, e kam ruajt, jam kujdese”, ka thënë e dyshuara në gjykatë.
vokati i të dyshuarës, Besim Morina, në një përgjigje për “Betimin për Drejtësi”, thotë se ende nuk kanë pranuar raport të Institutit të Mjekësisë Ligjore, nga çka do të vërtetohej shkaktari i vdekjes. Teksa, hedh dyshime se ajo ishte vizituar ditë më parë nga një mjek, i cili nuk kishte konstatuar se viktima ka ndonjë problem.
“Kunata dyshohet se pas disa goditjeve me një mjet të fortë, copë dru, e ka goditur të ndjerën disa herë, me çka, tani për tani thuhet se si rezultat i këtyre goditjeve e ndjera edhe ka vdekur, por, të shtojmë edhe këtë fakt se ne tani për tani, nuk kemi pranuar raportin e IML, pra të obduksionit, ku sigurt aty do të vërtetohet se si rezultat i çkafit e ndjera vdiq, pra nga goditjet me mjet, apo ndonjë komplikim tjetër shëndetësor”, ka thënë ai.
Morina ka shtuar se meqenëse viktima ishte e sëmurë, mjaft e dobët, nuk dihet nëse ka vdekur më vonë nga koha e goditjes.
“Nuk jemi të sigurt, por një ditë më vonë nëse jo gjysmë dite me vonë, edhe pse siç thuhet ishte vizituar nga një mjek i asaj ane dhe nuk kishte pasur diçka serioze, siç kemi njohuri, pra nuk ishte kërkuar ndonjë urgjencë apo marrje e medikamenteve shëruese, kjo mbetet të shifet”, ka thënë avokati Morina. /BetimipërDrejtësi/