Sali Berisha ka thënë se Samiti i Berlinit zhgënjeu Aleksandër Vuçiqin dhe argatët e tij në Prishtinë e Tiranë.
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka thënë se Samiti i Berlinit me qëndrimin kundër copëtimit të Kosovës ka zhgënjyer presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe ata që ai i ka quajtur argatë të tij, presidentin e Kosovës Hashim Thaçi e kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Edhe pse pa përmendur emra të liderëve shqiptarë, Berisha me aludime të qarta i është drejtuar Thaçit e Ramës si argatë të Vuçiqit në projektin për shkëmbim territoresh.
Sipas Berishës, të tre kanë mbetur duarbosh dhe u vunë në garë për të dhënë lajme sa më të këqija nga ky samit.
Ai ka thënë se është rezultat i rëndësishëm nga Samiti që “gangsterët e Ballkanit që luftojnë vetëm për karriget e tyre morën në Berlin atë që meritonin!”
Ky është postimi i plotë i Berishës në Facebook:
Samiti Berlinit dhe lajmezinjtë e tij!
Miq, Samiti i Berlinit me qëndrimin e tij të prerë kundër Serbisë së Madhe dhe copëtimit të Kosovës ka zhgënjyer shumë presidentin serbomadh Vuçiç dhe argatët e tij në këtë projekt, Miladinin shqipfolës, pra argatin e tij në Prishtinë dhe Zografin bis, argatin e tij të Tiranës!
Të tre këta të mbetur duarbosh dhe të damkosur si sherrxhinj, që për karriget e tyre duan të ndezin me projektin e Serbisë së Madhe konflikte të reja në Ballkan, përveçse me fotot e tyre fytyrë nxira që bënë xhiron e mediave ndërkombëtare, u vunë në garë për të shpërndarë lajme sa më të këqija e të deklarojnë se “Samiti ishte i rëndë”, se “nuk solli asnjë rezultat konkret”, se “nuk ka pasur asnjë përparim” dhe se “ishte zhgënjyes”.
Kulmin në këtë aspekt e arriti Zografi Bis që i lejoi vetes të falsifikojë në Facebookun e DË lajmin për takimin e tij të shkurtër më pak se gjysmë ore me kancelaren Merkel sepse ishte përgatitur të deklaronte së paku 80 minutësh. Madje në skizën e tij ai përdori çirakun e Baton Stanishiqit për të mashtruar pafytyrësish shqiptarët duke thënë për hapjen e negociatave me Shqipërinë pikërisht atë që Kancelarja nuk kishte thënë, gjë që doli qartë nga njoftimet zyrtare të qeverisë gjermane.
Në të vërtetë një rezultat i rëndësishëm i Samitit ishte se këta gangsterë të Ballkanit që luftojnë vetëm për karriget e tyre morën në Berlin atë që meritonin!