Salihaj: Greva në kopshte edhe në ciklin e ulët të arsimit duhet të ndalohet me ligj

21:52 | 05 October 2022

Ish-drejtori i Arsimit në Prishtinë: Greva në kopshte edhe në ciklin e ulët të arsimit duhet të ndalohet me ligj.

Të hënën e 3 tetorit nxënësit u ulën sërish në bankat shkollore pas një ndërprerje prej pesë javësh për shkak të grevës.

E ata që sivjet nisën rrugën e dijes nuk e patën mundësinë ta nisin mësimin ashtu siç ndodh zakonisht më 1 shtator.

Kjo sipas ekspertit të arsimit Jonuz Salihaj, është një humbje e madhe, sidomos për nxënësit ciklin e ulët fillor dhe për fëmijët e vegjël.

Ai tha se grevat duhet të ndalen me ligj për ciklin e ulët mësimor.

Salihaj tha për Klankosova se ndërprerja e mësimit ka shkaktuar kokëçarje edhe për prindërit.

Sipas tij prindërit kanë qenë të rrezikuar të humbin punat e tyre duke mos pasur që fëmijët t’i dërgojnë në kopshte e shkolla.

“Për mendimin tim grevat për ciklin e ulët (për fëmijet 0-3 dhe 3-6 vjeç) do t’i kisha ndaluar me ligj” – tha Salihaj

“Ndërpreja e mësimit është forma më radikale. Unë për vete nuk i pëlqejë format radikale. Kjo ka shkaktuar kokëçarje edhe tek prindërit të cilët nuk kanë pasur mundësi të i dërgojnë fëmijet e tyre në shkolla edhe në kopshte” – theksoi ai.

“Ndërprerja e procesit mësimor ka rrezikuar edhe ekonominë e vendit, pasi prindërit që nuk kanë pasur mundësi t’i dërgojnë fëmijët e tyre në kopshte edhe shkolla, kanë rrezikuar të humbin edhe vendet e tyre të punës. Kjo për shkak se ka shkaktuar shumë pasiguri tek prindërit se ku t’i lëjnë fëmijët e kjo pastaj ka ulur edhe efikasitetin e tyre në punë. Ata ndoshta shpesh është dashur që t’i marrin me vete në punë fëmijet ose të i dërgojnë për përkujdesje tek të afërmit” – shtoi ai.

Ish-drejtori i Arsimit në Prishtinë tha për Klankosova se kompensimi i orëve gjatë vikendit nuk e ka efektin e duhur.

Ai tha se Ministria e Arsimit do të duhej të konsultohej me palët e përfshira për gjetjen e një zgjidhje më të përshtatshme pë kompensimin e orëve.

“Orët e humbura duhet të kompensohen. Por, mendoj se Ministria e Arsimit do të duhej që të konsultohej me palët për gjetjen e një zgjidhje më të përshtatshme. Nuk mendoj se zëvendësimi i orëve në vikend, pra ditën e shtunë do të ketë efektin e duhur “- tha ish-drejtori i Arsimit në Prishtinë.

“Po flas nga përvoja ime e gjatë që kam në arsim. Ora e humbur nuk zëvendësohet asnjëherë. Zëvendësimi i orëve në vikend, është edhe cënim i të drejtës së fëmijëve për të pasur vikend” -theksoi Salihaj.

Jonuz Salihaj foli edhe për mosekzekutimin e pagave nga ana e Qeverisë.

Salihaj tha se qeveria nuk ka të drejtë në bazë të Ligjit mbi Grevat të ndal pagat e mësimdhënësve.

“Mendoj se Qeveria e Kosovës nuk ka të drejtë t’i ndal pagat e mësimdhënësve. Neni 13 i Ligjit mbi Grevat thotë se nuk ka të drejtë për ndëshkim (sanksione), pra largim nga puna apo gjobë e as ndalje të pagës. Domethënë në një grevë të ligjshme. SBASHK thirret në nenin 13 kurse qeveria në nenit 18. Mendoj se atë se çka po bën qeveria është thjesht lexim i ligji dhe jo interpretim” – tha Salihaj.

Komento: