
Kryetari i Komunës së Skënderajt Sami Lushtaku është liruar në procedurë të rregullt pas intevistimit lidhur me incidentin e së enjtes me zëvendësministrin e Financave Hysni Mehani.
Lajmin e konfirmuan për Klan Kosovën avokatët Labinot Vata e Besiana Ismajli, të cilët e mbrojnë Lushtakun.
Lushtaku sot i është përgjigjur ftesës për intervistim. Para se të hynte në stacionin e Policisë, aty ishin mbledhur shumë qytetarë.
Ndryshe, Mehani ka akuzuar Lushtakun se e ka sulmuar, teksa ky ka mohuar akuzat.
Policia ka thënë se ka arrestuar dy persona lidhur me rastin dhe se të njëjtit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
“LËNDIM I LEHTË TRUPOR – Skenderaj 14.05.2026 – 12:15. Pas pranimit të një informate për rrahje në një lokal, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore. Si pasojë, dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për tretman mjekësor. Lidhur me rastin, janë identifikuar dhe arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë të cilët pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje për 48 orë. Rasti nën hetime”, thuhet në raport.