Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Osmani mbërrin në Tiranë, e pret ministrja Spiropali

19:23 | 05 December 2022

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka pritur mbrëmjen e sotme Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.

Kjo e fundit ka mbërritur në Tiranë për të përfaqësuar Kosovën në samitin e nesërm mes liderëve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, mirëprita sonte Presidenten e Republikës së Kosovës, Znj.Vjosa Osmani”, shkruan Spiropali në postimin e saj në Instagram, ndërsa ka ndarë edhe fotografi nga takimi me të.

Në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri tek mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit.

Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë ndër të tjera do të diskutojnë për sfidat gjeostrategjike si rezultat i agresionit rus në Ukrainë, intensifikimin e angazhimit politik, për përforcimin e sigurisë dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja, sfidat e paraqitura nga migrimi si dhe për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Komento: