Samiti i BE-së për koronavirusin, Merkel dhe Macron jepin lajmin e keq

14:58 | 19 July 2020

Merkel dhe Macron sinjalizojnë se samiti i BE-së mund të përmbyllet pa marrëveshje.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron kanë thënë se ata janë të gatshëm që të largohen pa marrëveshje prej samitit të liderëve të BE-së, teksa kanë mbërritur për ditën e tretë të debateve të stërzgjatura rreth kushteve për fondin 750 miliardë eurosh për rimëkëmbje nga pandemia.

Me BE-në e përçarë midis shteteve anëtare veriore dhe atyre jugore, ashtu si edhe lindore dhe perëndimore, presidenti francez dhe kancelarja gjermane kanë sinjalizuar se durimit të tyre është duke i ardhur fundi, me gjithë domosdoshmërinë për t’iu përgjigjur recesionit ekonomik, me të cilin po përballet blloku.

“Po hyjmë në ditën e tretë të negociatave sot, të cilat janë vendimtaret”, ka thënë Merkel. “Në këtë pikë, i kemi tejkaluar mospajtimet e shumta, përfshirë rreth shumës së fondit, si do të menaxhohet ai dhe po ashtu edhe çështjet e lidhura me sundimin e ligjit. Ende nuk mund të them nëse do të ketë zgjidhje. Ka vullnet të mirë, por ka edhe qëndrime të ndryshme”, ka thënë ajo, duke e lënë të hapur mundësinë që samiti të përmbyllet pa marrëveshje, shkruan “The Guardian”.

Pasi që ka mbërritur për samit të dielën, Macroni u ka thënë gazetarëve: “Besoj se është e mundur. Por këto kompromise dhe këtë e them qartë, nuk do të bëhen në dëm të ambicies evropiane”.

Komento: