Qeveria gjermane ka njoftuar se në samitin e Berlinit do të fokusohen tek dialogu Kosovë – Serbi.
Stabiliteti dhe zhvillimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor ka një rëndësi shumë të madhe për Gjermaninë.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert e bëri këtë pohim nisur nga takimi i organizuar në Berlin nga Kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, në të cilin u ftuan të merrnin pjesë udhëheqësit e Ballkanit.
Duke shpjeguar arsyen e ftesës së Kancelares Merkel dhe presidentit Macron, Seibert tha se ata dëshirojnë të flasin me “bashkëbiseduesit e tyre për sfidat e veçanta në rajon, e në radhë të parë për stadin e dialogut Serbi-Kosovë”.
Seibert nuk pranoi të thoshte asgjë për pritshmëritë ndaj kësaj konference.
“Programi nuk është ende gati”, tha ai, duke shtuar se ky takim “është fryt i mëtejshëm i interesimit të thellë që kemi ne për zhvillimin pozitiv të Ballkanit Perëndimor”.
Në takimin e Berlinit, nga sa shpjegoi zëdhënësi, nuk do të ketë përfaqësues as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe as nga Rusia.
“Parimisht, gjendja në Ballkanin Perëndimor është herë pas here temë në bisedat tona me qeverinë amerikane – tha ai. – Por, ne e ndiejmë si një detyrë në radhë të parë europiane, që ta çojmë këtë pjesë të Europës në një të ardhme të qëndrueshme, demokratike dhe me perspektivë europiane”.
Eksperti i “Të gjelbërve” për Ballkanin, Emanuel Sarrazin kërkon ndërkohë çeljen e negociatave të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Seibert tha se në rastin e Shqipërisë do të shihet “funksionimi i institucioneve demokratike dhe i punës parlamentare”. Ai tha se vendimi për çeljen e negociatave do të varet nga progresraporti i Komisionit.