Qeveria e Kosovës muaj më parë vendosi taksën prej 100% për produktet serbe.
Kryeministri i Kosovës deklaroi se sulmet e Edi Ramës ndaj tij nuk i bëjnë përshtypje, duke thënë se ai e ka detyrë që ta nxjerrë të vërtetën.
“Unë jam i detyruar ta them të vërtetën për shqiptarët në Kosovë e Shqipëri, e jo për shkakun tim ose të Ramës, por për shkak të vërtetës” tha Haradinaj.
Ai tha se, është i vërtetë fakti që kur Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Presidenti francez, Emmanuel Makron ia kërkonin atij heqjen e taksës, e kanë kërkuar edhe Rama e Thaçi.
“…secili duhet të përballet me qëndrimet e veta, është e vërtetë që kur Makron e Merkel më kanë kërkuar heqjen e taksës, e kanë kërkuar edhe këta dy (Rama e Thaçi)” tha ai.
Madje ai shtoi se i kishte penguar fakti, që Rama e Thaçi edhe para presidentit e kryeministres së Serbisë, ia kishin thënë këto fjalë.
“Më ka penguar fakti që Vuçiq e Brnabiq kanë qenë aty, ata duhej që para atyre të thonin se kryeministri (Haradinaj) ka të drejtë dhe dialogu duhet të vazhdojë pa kushte” tha Haradinaj.