
Me shpresën se do të mund të gjejnë rrugën para në drejtim të krijimit të një tregu të përbashkët rajonal si parakusht për afrimin drejt Bashkimit Evropian, liderë të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë nisur konferencën e përbashkët rajonale që ka të bëjë me planin e rritjes për këtë rajon.
Fondet e premtuara nga Komisioni Evropian janë 6 miliardë euro të cilat do të jepen në formë të granteve dhe kredive të buta për investime kapitale në përafrimin me BE-në. Mirëpo parakusht për përfitimin e këtyre fondeve janë reformat e kërkuara ku në qendër është krijimi i një tregu të përbashkët rajonal por edhe adresimi i reformave sidomos në fushën e sundimit të ligjit si mënyrë për tërheqjen e investitorëve.
Para nisjes së këtij takimi, liderë të vendeve të Ballkanit por edhe përfaqësues të BE-së dhe SHBA-së kanë folur për pritjet e tyre nga ky takim, duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm në rrugën e përafrimit me Bashkimin Evropian.
Nga 6 vendet pjesëmarrëse, ka qenë kryeministri i Kosovës Albin Kurti ai i cili tha se ka ardhur me listën e reformave të diskutuara derisa ditët në vijim ka paralajmëruar edhe paraqitjen e listës së projekteve indikative.
Kurti ka bërë të ditur se tek pjesa e reformës në qendër është reforma e administratës publike derisa tek pjesa e projekteve agjenda e gjelbër i prin projekteve që do të prezantohen nga Kosova.
“Sasia e mjeteve qe merren varet nga puna e mirë dhe performanca”, theksoi Kurti.
Ndërkohë përfaqësuesi i BE-së në këtë takim, Gert Jan Kopmann, i cili është drejtor i përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian tha se për BE-në është e rëndësishme të shohin se si vendet po punojnë në reforma për të përshpejtuar rritjen dhe të shohim afrimin.
“Sot do të diskutojmë tregun e përbashkët. Jemi te inkurajuar te shohim energjinë e liderëve të Ballkanit”, theksoi ai.
Nga SHBA në këtë takim merr pjesë Xhejms O’Brajan, Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike. Ai tha se në takim me liderët e Ballkanit Perëndimor do të zhvillojnë idetë praktike për të ecur përpara dhe strategjitë.
Ndërkohë edhe përfaqësues të vendeve të tjera të rajonit, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ai i Malit të Zi, Milojko Spajiç dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq folën për pritjet e tyre nga ky takim duke u shprehur optimistë për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal.