Milani po përgatitet për sezonin e ri.
Milani i sezonit të ardhshëm do të nisë me Paolo Maldinin. Ish-kapiteni i kuqezinjve ka pranuar ofertën e administratorit të deleguar, Ivan Gazidis, për të marrë postin e drejtorit sportiv të “Djallit”, duke zënë kështu vendin e Leonardos.
Maldini do të kujdeset kështu për merkaton e skuadrës, madje ai tashmë e ka një përzgjedhur trajnerin. Ai do të jetë Marco Giampaolo.
Pas lamtumirave të Leonardos dhe Gattusos, kuqezinjtë, kanë nisur të ndërtojnë Milanin e sezonit të ardhshëm me Maldinin në krye, i cili në më pak se 1 vit, pas rikthimit te “Djalli”, ka fituar pushtet absolut.
Çështja e trajnerit është diçka që duhet zgjidhur sa më shpejt, në mënyrë që klubi të nisë punën në merkato. Emri i Marco Giampaolos duket se është i duhuri për Maldinin, me trajnerin që pritet t’i japë lamtumirën Sampdorias pas tre vitesh tek kjo skuadër.
Profili i Giampaolos përmbush synimet e Milanit, sepse trajneri di sesi punohet me lojtarët e rinj në moshë. Dëshira e “Djallit” është që sezonin e ardhshëm t’u jepet më shumë hapësirë lojtarëve të rinj dhe të talentuar. Gianpaolo pritet të firmosë një kontratë 3-vjeçare, nga e cila do të përfitojë 2 milionë euro në sezon.
Në pritje të përgjigjes që do të vijë nga UEFA për “Fair Play-n Financiar”, kuqezinjtë duhet të merren edhe me kontratat e Susos, Donnarummas dhe Romagnolit.