
Intervistë me Sandro Slukan, Drejtues Rajonal i Marketingut për Ballkanin në Binance
Vitin e kaluar Binance pati një prani të dukshme në Kosovë, me disa aktivitete, përfshirë meetup-in e parë në Prishtinë dhe Learning Lab me ICK në shkurt. Si e vlerësoni ndikimin e këtij angazhimi deri tani?
Gjatë vitit të kaluar, Kosova ka kaluar nga një treg që e kemi ndjekur nga afër në një treg ku tashmë kemi krijuar lidhje të drejtpërdrejta dhe të qëndrueshme me komunitetin lokal. Meetup-i në Prishtinë dhe Learning Lab me ICK na treguan qartë se këtu ka interes serioz për tema si siguria, rregullimi dhe përdorimet afatgjata të kriptos, jo vetëm për lëvizjet e shpejta të tregut.
Ajo që na ka bërë më shumë përshtypje është larmia e njerëzve që po i bashkohen këtij komuniteti: studentë, profesionistë të rinj, zhvillues, sipërmarrës dhe përdorues ekzistues që po mësojnë bashkë. Kjo tregon se kripto në Kosovë nuk po shihet më vetëm si një temë investimi, por po lidhet gjithnjë e më shumë me zhvillimin digjital dhe frymën sipërmarrëse. Për ne, këto aktivitete kanë qenë të vlefshme edhe sepse na kanë ndihmuar të kuptojmë më mirë çfarë i intereson realisht përdoruesit në Kosovë dhe çfarë presin nga një platformë globale e rregulluar.
Çfarë nismash konkrete mund të presim nga Binance në Kosovë gjatë vitit 2026?
Edhe në vitin 2026, fokusi ynë në Kosovë mbetet i njëjtë: edukimi, aktivitetet që ndërtohen bashkë me komunitetin dhe nisma që i ndihmojnë njerëzit të hyjnë në këtë hapësirë hap pas hapi dhe në mënyrë të sigurt. Në qendër të kësaj qasjeje do të vazhdojnë të jenë Learning Labs, sepse i shohim si një format shumë të dobishëm për t’i ndihmuar njerëzit të kalojnë nga kureshtja fillestare te një kuptim më i qartë i blockchain-it, aseteve digjitale, rrezikut dhe sigurisë.
Do të vazhdojmë edhe me meetup-et e komunitetit, të cilat janë më informale, por mbeten po aq të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe ndërtimin e lidhjeve mes njerëzve që e ndjekin këtë hapësirë. Paralelisht, po përgatisim edhe një format të ri për median në Kosovë, që synon t’i ndihmojë gazetarët, redaktorët dhe krijuesit e përmbajtjes t’i trajtojnë më saktë temat e kriptos dhe Web3. Gjithashtu, po shqyrtojmë mënyra bashkëpunimi më të afërt me universitete dhe qarqe akademike në Kosovë.
Si do ta përshkruanit komunitetin e kriptos në Kosovë krahasuar me komunitetet e tjera në Ballkanin Perëndimor dhe çfarë e veçon atë?
Kur e sheh Ballkanin Perëndimor si tërësi, ka disa tipare që përsëriten pothuajse kudo: popullsi e re, njohuri të mira digjitale, interes për alternativa financiare dhe kureshtje në rritje për teknologjitë Web3. Brenda këtij konteksti, Kosova po del si një nga shembujt më dinamikë në rajon.
Ajo që e veçon janë disa faktorë shumë të qartë. Së pari, mosha e re e popullsisë dhe rehatia që ka kjo gjeneratë me shërbimet digjitale. Së dyti, hapja ndaj zhvillimeve rajonale dhe ndërkombëtare. Dhe së treti, një zhvendosje graduale nga interesi thjesht spekulativ drejt përdorimeve më konkrete të kriptos dhe blockchain-it. Tregtimi dhe investimi mbeten të rëndësishme, por po rritet edhe interesi për t’i parë këto teknologji si mjete që mund të lidhen me financat, produktet digjitale dhe shërbime të reja online. Në tërësi, Kosovën do ta përshkruaja si një komunitet të ri, të hapur dhe gjithnjë e më sipërmarrës.
A po shihni rritje të matshme të përdoruesve nga Kosova dhe cilat janë trendet që dallohen më shumë?
Nëse do ta thosha shkurt, tregtimi dhe investimi bazik vazhdojnë të përbëjnë pjesën më të madhe të aktivitetit që shihet, por edukimi po bëhet gjithnjë e më shumë porta reale e hyrjes në këtë ekosistem. Pikërisht për këtë arsye jemi përqendruar te formatet edukative në Kosovë, nga Learning Labs dhe sesionet universitare te meetup-et e komunitetit dhe bisedat tematike.
Këto aktivitete u japin fillestarëve mundësinë të kuptojnë bazat, rreziqet dhe çështjet e sigurisë para se të hedhin hapa financiarë, ndërsa përdoruesve më me përvojë u japin hapësirë për të thelluar njohuritë. Po aq e rëndësishme është edhe fakti që krijojnë një mjedis ku studentë, ndërtues dhe sipërmarrës mund të takohen, të shkëmbejnë ide dhe të shohin si mund të lidhet Web3 me projektet e tyre. Kjo është një shenjë pozitive, sepse tregon se angazhimi nuk po nxitet më vetëm nga luhatjet afatshkurtra të tregut, por edhe nga të mësuarit dhe bashkëpunimi.
Kosova ka një nga popullsitë më të reja në Evropë. Si mendoni se ky avantazh demografik po ndikon në adoptimin e kriptos dhe Web3, dhe çfarë këshille do t’i jepnit një 20-vjeçari në Kosovë që dëshiron të përfshihet, por nuk di nga t’ia nisë?
Profili i ri demografik i Kosovës është një nga pikat e saj më të forta afatgjata në kontekstin e kriptos dhe Web3. Kur njerëzit janë rritur me telefonin inteligjent, platformat online dhe shërbimet digjitale si pjesë normale e jetës së përditshme, është shumë më e lehtë që të jenë të hapur ndaj mjeteve të reja financiare dhe komuniteteve globale online.
Por kjo ka edhe anën tjetër: e njëjta hapje mund t’i bëjë njerëzit më të ekspozuar ndaj pritshmërive joreale dhe mashtrimeve, nëse edukimi nuk ecën me të njëjtin ritëm. Prandaj ne e theksojmë vazhdimisht rëndësinë e sigurisë, vetëdijes për rrezikun dhe kuptimit të rregullave.
Nëse një 20-vjeçar në Kosovë do të më pyeste nga t’ia nisë, do t’i thosha të investojë fillimisht në njohuri, jo në para. Ia vlen të kuptojë si funksionon blockchain-i në nivel bazik, çfarë janë portofolat dhe çelësat privatë, si funksionon volatiliteti dhe cilat janë shenjat paralajmëruese që duhen shmangur. Burime falas dhe të strukturuara si Binance Academy, bashkë me punëtoritë lokale, janë një pikënisje shumë e mirë. Po aq e rëndësishme është që mësimi online të shoqërohet me pjesëmarrje në evente fizike si Learning Labs, meetup-et dhe sesionet universitare, sepse pyetjet e drejtpërdrejta dhe përvojat reale të të tjerëve shpesh vlejnë më shumë se një artikull apo video e vetme.
Mbi të gjitha, është me rëndësi të mbetet realist sa i përket rrezikut dhe pritshmërive, të kuptojë çfarë roli dëshiron të ketë në këtë hapësirë dhe të ndërtojë aftësi që kanë vlerë edhe në plan afatgjatë. Jo të gjithë duhet të jenë tregtarë; disa do ta gjejnë veten në zhvillim, të tjerë në dizajn, marketing, ndërtim komuniteti apo role të tjera brenda projekteve Web3.
A e konsideroni legjislacionin aktual në Kosovë miqësor ndaj kriptos? A është Binance në kontakt me institucionet ndërsa ky proces ecën përpara?
Në gjithë Ballkanin Perëndimor po shohim një zhvillim gradual të kornizës rregullatore, dhe Kosova është pjesë e këtij procesi, me hapa drejt licencimit dhe regjistrimit të ofruesve të shërbimeve të aseteve kripto dhe afrimit me standardet e Bashkimit Evropian. Nga këndvështrimi ynë, kjo është një lëvizje pozitive, sepse rregullat e qarta dhe të parashikueshme janë thelbësore si për mbrojtjen e përdoruesve, ashtu edhe për planifikimin afatgjatë nga aktorët seriozë të tregut.
Qasja e Binance mbetet e përqendruar te pajtueshmëria me rregullat. Në juridiksionet ku kuadri rregullator është ende në zhvillim, ne mbajmë një dialog të matur dhe konstruktiv me institucionet përkatëse, kur ftohemi ta bëjmë këtë. Synimi ynë është të mbështesim krijimin e një kuadri të qartë dhe të zbatueshëm, ku në qendër të jetë interesi dhe mbrojtja e përdoruesit.
Për folësin
Sandro Slukan
Drejtues Rajonal i Marketingut për Ballkanin
Sandro Slukan është profesionist i marketingut dhe komunikimit me mbi 15 vjet përvojë në brendim, ndërtim komuniteti dhe marrëdhënie me publikun në sektorët e Web3, fintech dhe industrisë së argëtimit. Ai iu bashkua Binance në vitin 2024 dhe aktualisht udhëheq përpjekjet rajonale dhe aktivitetet me komunitetin në Ballkan, duke mbuluar tregje kyçe si Kroacia, Sllovenia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Serbia dhe Shqipëria.
Në Binance, Sandro ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndërtimin e komuniteteve të forta të kriptos në terren, përmes fushatave angazhuese, punëtorive edukative dhe partneriteteve me figura me ndikim dhe institucione kyçe.
Para se t’i bashkohej Binance, Sandro ka mbajtur role strategjike në marketing si në startup-e, ashtu edhe në kompani të konsoliduara, duke udhëhequr fushata të mëdha rajonale dhe lansime produktesh. Ai ka gjithashtu përvojë të gjerë në industrinë e eventeve dhe argëtimit, ku ka menaxhuar drejtimin kreativ dhe produksione në shkallë të gjerë.
Rreth Binance
Binance është një ekosistem global lider i blockchain-it, që qëndron pas bursës më të madhe të kriptomonedhave në botë për nga vëllimi i tregtimit dhe numri i përdoruesve të regjistruar. Binance gëzon besimin e më shumë se 300 milionë njerëzve në mbi 100 vende, falë sigurisë së avancuar, transparencës, shpejtësisë së lartë të motorit të tregtimit, masave mbrojtëse për investitorët dhe portofolit të gjerë të produkteve dhe shërbimeve në asete digjitale — nga tregtimi dhe financa te edukimi, kërkimi, nismat për të mirë publike, pagesat, shërbimet institucionale dhe funksionalitetet Web3.
Binance është e përkushtuar për ndërtimin e një ekosistemi gjithëpërfshirës të kriptos, me synimin për të zgjeruar lirinë financiare dhe qasjen në shërbime financiare për njerëzit në mbarë botën, duke pasur kripton si mjet themelor. Për më shumë informacione, vizitoni: https://www.binance.com