Sandulloviq: Do të kërkoj drejtësi dhe do të vazhdoj të punoj për pajtim

20:38 | 28 December 2024
sandulloviq:-do-te-kerkoj-drejtesi-dhe-do-te-vazhdoj-te-punoj-per-pajtim

Kryetari i Partisë Republikane, Nikolla Sandulloviq, njoftoi se Prokuroria e Lartë Publike në Nish e ka hedhur poshtë padinë penale të Ministrisë së Punëve të Brendshme kundër tij për nxitje të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare.

Padia u ngrit pasi ai kishte nderuar viktimat shqiptare në Kosovë duke vendosur lule në varrin e një vajze të vrarë në Prekaz.

Sandulloviq deklaroi se gjatë arrestimit ka pësuar maltretim fizik për shkak të qëndrimeve të tij politike mbi Kosovën, gjë që e çoi në spital. MPB dhe BIA i kanë hedhur poshtë këto pretendime.

“Do të kërkoj drejtësi për veprimin që është kryer kundër meje sepse kam vendosur lule në varrin e një vajze shtatëvjeçare të vrarë. Dhe do ta bëj përsëri. Ky akt është simbol i pajtimit dhe jo i urrejtjes”, tha Nikolla Sanduloviq.

Sandulloviq njoftoi se do të kërkojë një hetim ndërkombëtar për rrethanat e arrestimit të tij dhe ngritjen e padive penale kundër personave përgjegjës.

Ai falënderoi zyrtarë ndërkombëtarë, përfshirë deputeten britanike Alicia Kearns dhe presidenten e kryeministrin e Kosovës Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, për mbështetjen e tyre.

Duke komentuar çështjen e Kosovës, ai në një deklaratë për RTK-në theksoi rëndësinë që Serbia të pranojë krimet dhe përgjegjësit të ndiqen penalisht, ndërsa, sipas tij, duhet një falje kolektive.

“Nëse shumica e vendeve të BE-së dhe SHBA-ja si dhe fuqitë të tjera kanë njohur Kosovën, mos të humbim kohë sepse rezultati do të jetë i njëjtë, dhe ky është një fakt i pandryshueshëm. Qëndrimi im është që Kosova e ka shpallur pavarësinë dhe duhet të ecë në rrugën e saj, por të gjithë së bashku duhet të ndërtojmë paqen dhe një të ardhme të përbashkët në BE”, tha ai.

Lidhur me incidentin në kanalin Iber-Lepenc, Sandulloviq theksoi rendësin e përfshirjes se FBI-së në hetime. Për sulmin terrorist në Banjskë, ai deklaroi se Milan Radoiçiq duhet të përballet me drejtësinë në Kosovë dhe Serbi.

Sanduloviq shprehu mbështetje për protestat studentore ne Serbi në luftën e tyre për një shtet të liruar nga krimi dhe korrupsioni. Ai theksoi se pa ballafaqim me të kaluarën nuk ka përparim të Serbisë në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

Komento: