Fernando Santos ka refuzuar të konfirmojë nëse Cristiano Ronaldo do të jetë kapiten i skuadrës së tij në ndeshjen kundër Zvicrës, e vlefshme për 1/8 e finales në Kupën e Botës “Katar 2022”.
37-vjeçari u zëvendësua në minutën e 65-të të ndeshjes së fundit të Grupit H, kundër Koresë së Jugut, dhe u duk se ishte i pakënaqur me vendimin e trajnerit, transmeton Gazeta Express.
Veprimet e Ronaldos nuk i kanë pëlqyer aspak Santosit, i cili e zbuloi këtë edhe në konferencën e sotme për shtyp.
“Nuk më pëlqeu, aspak. Nuk më pëlqeu vërtet. Por, që nga ai moment gjithçka ka përfunduar në lidhje me këtë çështje. Këto çështje zgjidhen me dyer të mbyllura. Është zgjidhur. Ka një ndalesë për këtë çështje dhe tani të gjithë janë të fokusuar në ndeshjen e nesërme”, tha fillimisht ai.
Tutje, Santos nuk e konfirmoi nëse Ronaldo do të jetë kapiten edhe në ndeshjen kundër Zvicrës.
“Unë vendos se kush do të jetë kapiten vetëm kur të arrij në stadium. Ende nuk e di se cili do të jetë formacioni. Kjo është ajo që kam bërë gjithmonë dhe kjo është ajo që do të bëj gjithmonë dhe kështu do të jetë edhe nesër”, deklaroi trajneri i Kombëtares së Portugalisë.
Ndeshja mes Portugalisë dhe Zvicrës do të zhvillohet të martën mbrëma.