Trajneri i Lazios, Maurizio Sarri, thotë se është i kënaqur kur sheh se lojtarët e tij nuk ftohen nga kombëtaret, për shkak të orarit të ngjeshur.
Ai thotë se ka shikuar ndeshjen ndërkombëtare Kosova – Andorra për 10 minuta, dhe nuk e kuptonte se çfarë është duke shikuar, pasi nga lodhja e tepërt nuk kishte futboll cilësor.
Skuadra si Interi, Juventusi e Fiorentina po kalojnë një periudhë kur zhvillojnë nëntë ndeshje brenda 30 ditëve, por Lazio nuk është as në Kupën e Italisë e as Ligën e Konferencës.
Pavarësisht kësaj, Sarri sërish është i nervozuar me orarin shumë të ngjeshur, me futbollin ndërkombëtarë që e bënë këtë fakt ende më problematik për të.
“Jam i lumtur kur lojtarët tanë nuk thirren në kombëtare. Unë nuk e kritikoj futbollin ndërkombëtar, thjesht nuk më intereson fare. Pashë 10 minuta Kosova – Andorra, i shihja të gjithë futbollistët në zonë të rreptësisë dhe pyesja veten se çfarë dreqin është duke ndodhur këtu? E kritikoj kalendarin sepse cilësia po bie, gjithmonë ka disa lëndime dhe nëse futbolli vazhdon të bëhet vetëm biznes, atëherë pas 10 vitesh publiku i gjerë nuk interesohet më për këtë sport.”
Nuk është hera e parë që Sarri është kundër orarit të ngjeshur me ndeshje pas ndeshjes pa pasur pushime, pasi ai vazhdimisht është ankuar për numrin e ndeshjeve të luajtura edhe kur ishte në Napoli, Chelsea dhe Juventus.