SBASHK-u merr vendim të papritur kundrejtë Bahtirit

15:01 | 19 Janar 2019

Mësimdhënësit nuk e kanë ndërmend ta ndërpresin grevën.

Deklarata e kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahitiri, se nëse nuk ndërpritet greva në arsim do të angazhojë mësimdhënës vullnetarë për të mbajtur mësim, ka nxitur reagimet e kryetarit të Sindikatës së Arsimit.
Agim Bahtiri, sot përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se “të gjithë janë dëshmitar se edhe gjatë kohës së okupimit dhe masave të dhunshme nga pushtuesi serb shkollat kanë punuar, prandaj mësimi duhet të vazhdojë.

Mirëpo, deklarata e Bahtirit ka irrituar mësimdhënësit dhe ka nxitur reagimin e kryetarit të SBASHK-ut, i cili ka paralajmëruar padi ndaj kreut të Komunës së Mitrovicës.

Kryetar i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se Zyra Ligjore e tyre është duke parë mundësinë e ngritjes së një padie ndaj kryetarit Bahtiri, nëse ky i fundit nuk kërkon falje dhe ta tërheq këtë deklaratë që ka bërë.

Ai tha se fillimisht janë duke vërtetuar nëse kjo deklaratë është bërë nga vetë kryetari Bahtiri.

“SBASHK-u, është duke u marr me deklaratën e tij. Fillimisht po merremi me vërtetësinë e deklaratës. Ju them që fillimisht që kjo deklaratë ka irrituar të gjithë mësimdhënësit në Kosovë, po ashtu dhe në Mitrovicë. Ia kujtoj kryetarit Bahtiri se ai nuk ka qenë këtu para luftës, ku mësimdhënësit janë përballur me kërcënime të ndryshme nga okupimi në atë kohë, dhe nën atë presion ata kanë mbajtur mësim”, ka thënë Jasharaj, për telegrafin.

Jasharaj ka thënë se nëse nuk kërkon falje, me Bahtirin do të përballen të hënën në Gjykatë.

“Uroj që kryetarët e tjerë mos të bëjnë deklarata të tilla. Bahtiri bashkë me kryetarët tjerë duhet të angazhohen për t’i përkrah mësimdhënësit. Mësimdhënësit ka kush t’i mbrojë. Kryetari Bahtiri do të përballet të hënën në gjykatë. Më e mira është që ai të tërhiqet nga kjo deklaratën, përndryshe Zyra jonë do të përgatis padi ndaj tij në Gjykatë”, ka thënë Jashari, duke shtuar se grave nuk mund të mbyllet me presione të tilla.

Komento: