SBASHK-u të vendosur, ja vendimi final i tyre – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

SBASHK-u të vendosur, ja vendimi final i tyre

18:15 | 27 Janar 2019

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka njoftuar se është bërë analizimi i dy javëve të grevës së përgjithshme në arsim dhe se ata janë të vendosur për vazhdimin e grevës deri sa kërkesat e tyre të plotësohen nga Qeveria.

“Kjo grevë ka treguar unitetin e SBASHK-ut dhe përcjell porosinë e gjithë të punësuarve në sektorin e arsimit, nga çerdhet e deri në Universitete, që të vazhdohet me grevën deri në realizimin e kërkesës së drejtë e legjitime të anëtarësisë për ngritjen e gjithë koeficienteve në sektorin e arsimit për së paku 30% apo për tërheqjen e projektligjit të pagave diskriminues e nënçmues për sektorin e arsimit, me qëllim që ai të punohet rishtazi me kokat e ftohta e me praninë e sindikatave dhe institucioneve”, thuhet në njoftimin për media.

Përmes kësaj kumtese, SBASHK-u këshillon individët që ta ruajnë personalitetin e tyre e të mos provojnë që me lajme të rreme të krijojnë huti mes grevistëve.

“U munduan që me lajme të rreme të na nxjerrin se po takohemi fshehtazi me atë apo këtë dhe doli se është gënjeshtër. U munduan të na nxjerrin se jemi atje apo diku tjetër dhe doli gënjeshtër. SBASHK-u ishte dhe mbetet i Republikës së Kosovës dhe i gjithë të punësuarve në sektorin e arsimit. SBASHK-u i tha jo Serbisë dhe mbrojti arsimin shqip në vitet më të vështira. SBASHK-u është i punëtorëve të arsimit në çerdhe, arsimin fillor e të mesëm dhe universitete. SBASHK-u nuk ka qenë e nuk do të jetë kurrë dorë e zgjatur e individëve a ndonjë subjekti politik. SBASHK–u ka respektuar dhe respekton institucionet e Kosovës, cilat do subjekte politike që i udhëheqin ato sepse SBASHK-u në vitet e vështira të okupimit bëri angazhime sublime që të kemi institucionet tona”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se institucionet duhet të ulen me SBASHK-un dhe të gjejnë zgjidhje për situatën e krijuar.

“Ne ofruam mundësi që kjo të bëhet. Të shtohen koeficientet për të punësuarit në tërë sektorin e arsimit në mënyrë që këta të kenë vend meritor në Ligjin e pagave, të ulet vlera e koeficienteve për të gjithë nga presidenti e deri të punëtorët tekniko-ndihmës në mënyrë që të krijohen kushte që të gjithë të kenë vend meritor në projektligjin e pagave ose nëse asnjë nga këto dy opsione nuk paska mundësi të bëhen, atëherë le të tërhiqet Projektligji i pagave dhe të ulen sindikatat dhe institucionet me koka të ftohta dhe ta punojnë një projektligj të pranuar nga të gjithë”, thuhet në njoftim. “Zgjidhje ka, por vetëm duhet vullnet i institucioneve. Deri atëherë greva do të vazhdojë dhe ky veprim sindikal është legjitim dhe i garantuar edhe me ligjin e grevave dhe Kushtetutën e Kosovës”, njofton SBASHK-u.

Në ditën e 11 të grevës, të hënën, kryetari i SBASHK-ut me anëtarë të Këshillit Qendror Grevist do të gjenden në Gjilan për të vizituar SHFMU “Ibrahim Uruqi” në Bresalc në ora 9 e 30 minuta , I.P. “Ardhmëria 2” nga ora 10 e 20 minuta, SHFMU “Selami Hallaqi” në ora 11 dhe Gjimnazin “Zenel Hajdini” në ora 11 e 40 minuta.

Komento: