SBASHK-u vjen me vendim të papritur

14:19 | 25 March 2019

SBASHK-u mund të hyjë përsëri në grevë.

SBASHK-u nuk po sprapset krahas vendimit për të mos i zëvendësuar orët e mësimit që janë humbur gjatë grevës. Madje, përmes një komunikate nga kjo sindikatë kanë thënë se komunat po u bëjnë presion drejtorëve të shkollave që orët të kompensohen, raporton Gazeta Express.

“SBASHK është duke e përcjellë me kujdes situatën në institucionet arsimore të Kosovës dhe duke parë se një pjesë e Drejtorëve të Arsimit dhe të drejtorëve të shkollave, kanë nisur t’i shtojnë presionet ndaj mësimdhënësve, në përpjekje për të vënë në zbatim vendimin e ministrit Bytyqi për kompensimin e orëve të humbura, i cili nuk ka bazë ligjore dhe ndaj tij është ngritur padi në gjykatën gjegjëse, SBASHK u është drejtuar zyrtarisht kryetarëve të komunave të Kosovës duke ua bërë me dije se duhet zgjedhur dialogun e jo presionet e urdhrat, sepse me presione vetëm sa mund ta përkeqësojnë situatën në arsim”, shkruhet në komunikatë.

Tutje, sipas tyre, krejt ky çrregullim është krijuar nga ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

“Ndiejmë për obligim që t’ju drejtohemi me këtë shkresë duke pasur parasysh të gjithë drejtorët e drejtorive arsimore janë të emëruar nga ju dhe normalisht për punën e tyre duhet t’ju raportojnë juve.

Gjithashtu edhe drejtorët e shkollave ishte dashur t’i raportojnë nivelit komunal. Ditëve të fundit një pjesë e tyre kanë ndërmarr një fushatë të presionit të mësimdhënësve për ti detyruar që t’i zëvendësojnë orët e humbura gjatë grevës e duke u mbështetur në vendimin e MSHAT-it, të cilin vendim SBASHK-u e ka kontestuar dhe e ka dërguar në gjykatë për ta vlerësuar ligjshmërinë e tij sepse ne vlerësojmë me të drejt se është vendim i pa bazuar në Ligj, pasi që asnjë ligj apo dokument juridik valid i Republikës së Kosovës, e as normë ndërkombëtare nuk ekziston që thotë se orët e humbura gjatë grevës duhet zëvendësuar”, thuhet, veç tjerash në këtë shkresë”, vazhdon komunikata.

SBASHK në shkresën zyrtare drejtuar kryetarëve të komunave i kujton ata se nëse ky presion në disa Komuna vazhdon edhe gjatë këtyre ditëve, por edhe gjatë pushimit pranveror, ju njoftojmë se SBASHK-u mund të shpallë grevë të përgjithshme duke kërkuar tërheqjen e vendimit për zëvendësimin e orëve si dhe përgjegjësinë ndaj atyre që kanë ushtruar presion.

Komento: