Scholes i lumtur që Sanches nuk do të kthehet më te United: Ishte për faqe të zezë

10:21 | 06 August 2020

Scholes, i lumtur me shitjen e Sanchez: Ishte për faqe të zezë.

Legjenda e Manchester Unitedit, Paul Scholes, është shprehur i lumtur që Alexis Sanchez po largohet në formë permanente nga Manchester Unitedi, pasi kalimi i kilianit në Interi u konfirmua nga dy klubet të mërkurën.

Alexis Sanchez e ka shijuar një sezon mbresëlënës, përkundër që pati probleme me lëndime, si i huazuar në skuadrën e Antonio Contes. Ai i ka shënuar katër gola në 29 paraqitjet e tij këtë sezon, transmeton Gazeta Express.

Në anën tjetër, ish-sulmuesi i Barcelonës s’kishte arritur ta dëshmonte veten gjatë kohës sa ishte me Djajtë e Kuq në Old Trafford, duke i regjistruar vetëm pesë gola në 45 paraqitjet për Unitedin.

Transferimi pritet të konfirmohet të enjten, mirëpo të mërkurën, drejtori ekzekutiv i Interit dhe trajneri Ole Gunnar Solskjaer e pranoi se 31-vjeçari do ta transferohet në formë permanente te zikaltrit.

Dështimet e kilianit në Old Trafford bënë që legjenda e klubit, Scholes, të shprehet i lumtur që ai po shitet në formë permanente, përderisa i vuri në pikëpyetje edhe disa transferime të tjera të Djajve të Kuq.

“Sa më shpejt ta largojnë, aq më mirë. Ai ishte shumë i dobët për Manchester Unitedin”, u shpreh Scholes, i ftuar në BT Sport.

“Kur u largua Sir Alex Ferguson, nisi një periudhë katër apo pesëvjeçare kur transferimet ishin për faqe të zezë dhe ai ishte pjesë e kësaj”.

“Ai dukej lojtar shumë i mirë në Arsenal dhe në klubin e tij paraprak, në Barcelonë, por në United nuk funksionoi, për ndonjë arsye. Thjesht jam mirënjohës që Ole është tani në klub dhe rekrutimet duket se po shkojnë në rrugë të duhur”.

“Shpresoj që s’do ta bëjnë ndonjë gabim si te Sanchezi dhe si gabimet që janë bërë gjatë katër apo pesë vjetëve të fundit”.

Komento: