Maqedonia e Veriut, po synon të jetë pjesë e BE-së.
Kancelari gjerman Olaf Scholz, në konferencën e përbashkët për shtyp sot me kryeministrin Dimitar Kovaçevski në Shkup, deklaroi se Ballkani Perëndimor ka një rëndësi strategjike për Gjermaninë dhe se ai është i përkushtuar për anëtarësimin e rajonit në Bashkimin Evropian.
Scholz theksoi se Maqedonia e Veriut i ka përmbushur të gjitha parakushtet për fillimin e negociatave për anëtarësim.
“Negociatat për anëtarësim duhet të fillojnë dhe unë do të avokoj për këtë. Unë inkurajoj Maqedoninë e Veriut që të vazhdojë angazhimin e saj në rrugën e reformave”, tha ai.
Marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve, siç vlerësoi ai, janë jo vetëm politike, por edhe ekonomike, të larmishme dhe të ngushta. Kjo është një arsye shtesë pse Gjermania e mbështet Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt BE-së.
Ndërsa, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski theksoi se vizita e kancelarit gjerman dëshmon mbi marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira ndërmjet dy vendeve.