S”do të ketë taksë shtesë në Rrugën e Kombit, ja pse

10:16 | 29 August 2019

Duket se nuk do të ketë taksë shtesë në Rrugën e Kombit.

Mediat kanë raportuar se qeveria kosovare është e shqetësuar për një taksë të re që mund të vendoset mbi makinat e tonazhit të rëndë në rrugën Durrës-Kukës. Sipas ankesës së palës kosovare duke filluar nga data 1 shtator në Rrugën e Kombit do te instalohen peshoret, çka mund të sjellë taksë shtesë për makinat e tonazhit të rëndë.

Mirëpo, për njohësin e çështjeve ekonomike dhe gazetarin e ekonomisë në Top Channel, Klodian Tomorri kjo nuk mund të ndodhë duke e shpjeguar edhe arsyen.

“Taksat e kalimit në rrugën Durrës-Kukës janë të përcaktuara qartë në kontratën koncesionare dhe variojnë nga 1 euro për përdoruesit e shpeshtë deri në 22 euro për kamionët e rëndë me 4 akse apo më shumë. Këto taksa nuk mund të ndryshohen nga askush. As të rriten, as të ulen, as të shtohen në numër dhe as të pakësohen”, tha ai.

Sipas Tomorrit, mënyra e vetme për të ndryshuar apo vendosur taksa të reja në rrugën Durrës-Kukës është amendimi i kontratës koncesionare. Por edhe nëse kontrata koncesionare do të ndryshohej, ai thotë se sërish nuk mund të ketë takse mbi peshën e makinave.

“Mënyra se si lëvizin mjetet e transportit në rrugë rregullohet përmes Kodit Rrugor. Në nenet 10, 54 dhe 62, Kodi përcakton qartë kufijtë e lejuar të peshave për transport në rrugë dhe sanksionet nëse ato thyhen. Sipas Kodit, pesha kufitare e përgjithshme me ngarkesë të plotë e një mjeti, që përbëhet nga pesha e vetë mjetit të gatshëm për lëvizje dhe nga ajo e ngarkesës së tij, nuk mund të jetë më e madhe se 5 tonë për aks për mjetet me një aks, 8 tonë për aks për ato me dy akse dhe 10 tonë për aks për ato me 3 e më shumë akse. Çdo mjet që thyen këto kufijë ngarkese shkel ligjin dhe është kërcënim për sigurinë rrugore. Kur shkel ligjin nuk taksohesh, por dënohesh sipas sanksioneve që parashikon ligji”, vijoi Tomorri.

Për këtë arsye, sipas tij nuk mund të ndodhë që të ketë takse shtesë për peshën, as nga koncesionari, por as nga shteti.

Tomorri tha se nuk beson që qeveria e Kosovës e ka ngritur shqetësimin për shoferët të cilët thyejnë ligjin dhe i ngarkojnë mjetet e tyre mbi tonazhin e lejuar duke vënë në siguri jo vetëm rrugën por edhe njerëzit.

Ai tha se nëse taksa shtesë vendoset në mënyrë informale nga koncesionari, pra mjeteve që kanë tejkaluar tonazhin koncesionari i kërkon para shtesë në mënyrë informale, atëherë kjo është shkelje e ligjit.

“Kjo është cenim i sigurisë në rrugë, thyerje e kontratës koncesionare dhe dëmtim i pronës publike. Kompania koncesionare ka detyrim të vendosë peshoren dhe të masë ngarkesën e çdo mjeti. Nëse konstaton mjete që kanë tejkaluar ngarkesën e përcaktuar në ligj, atëherë ajo është e detyruar të bllokojë menjëherë lëvizjen e tij dhe të njoftojë policinë që të marrë masat ndëshkimore. Vetëm policia ka kompetencë të vendosë gjobat të cilat arkëtohen në shtet jo nga koncesionaret. Kjo nuk mund te ndodhe në asnjë skenar”, përfundoi Tomorri.

Komento: