Milan pritet të bëjë revulucion këtë verë.
Politika e Milanit për merkaton në hyrje do të vazhdojë me të njëjtën gjatësi vale si më parë: përparësi talenteve të rinj dhe kampionë të mundshëm, që të rriten dhe të piqen. Kësisoj, synohet të krijohet baza e qëndrueshme për vitet në vazhdim.
Një nga profilet që pëlqehet nga kuqezinjtë është Dominik Szoboszlai, mesfushori i Salzburgut, i konsideruar “Haaland i ri”, edhe pse jo në rolin e qendërsulmuesit si norvegjezi. Ai pati mundësinë të shfaqej i plotë në fazën e grupeve të Champions, teksa u përball me kokën lart dhe pa frikë ndaj Liverpool dhe Napolit.
Siç raporton “Tuttosport”, të paktën 30 milionë euro do të duheshin për ta rrëmbyer atë nga klubi austriak. “Ankandi” është shumë intensiv dhe, përveç Interit e Lazio në Itali, përfshin Leipzig, Borussia Dortmund, Arsenal dhe Liverpool.
Një “as nën mëngë” për Milanin mund të ishte ardhja eventuale e Ralf Rangnick, trajnerit dhe menaxherit me një ndikim të madh në botën e “Red Bull”, i cili përfshin edhe Salzburgun, natyrisht.
Ne jemi gjithmonë në fushën e hipotezave dhe vetëm lëvizjet e verës do të na tregojnë nëse Milani me të vërtetë do të dëshirojë të përqendrohet në një nga mesfushorët me perspektivën më evidente të futbollit europian.