
Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka dërguar emrin e mandatarit të ri presidentit Hashim Thaçi.
Kjo ka bërë që presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, t’i shkruaj për herë të tretë një letër kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke ia kërkuar emrin e mandatarit.
Thaçi, në letrën e tretë drejtuar Kurtit, i jep ultimatum që brenda siç thotë ai, “një periudhe të arsyeshme kohore, në përputhje me urgjencën për t’i dhënë vendit Qeveri të re me legjitimitet nga Kuvendi, të propozoni kandidatin për kryeministër për të formuar Qeverinë”.
“Askush nuk ka të drejtë t’i privojë përfaqësuesit e zgjedhur të popullit në Kuvendin e Kosovës për të pasur kandidatin/en për Kryeministër dhe për të ushtruar kompetencën e tij/saj për të zgjedhur Qeverinë siç përcaktohet në nenin 65 (8) të Kushtetutës”, thuhet në letrën e Thaçit.
Thaçi i është referuar përgjigjes së fundit të Kurtit.
“Në këtë shkresë ju nuk keni propozuar kandidatin por as nuk e keni refuzuar një gjë të tillë. Duke marrë parasysh kërkesat që ua kam përcjellë, përsëri ua rikujtoj se jam në pritje të përgjigjes suaj për të propozuar kandidatin/en”, i shkruan Thaçi.

