S’e çau rrethimin, vjen reagimi i parë nga Nisma

12:16 | 29 Dhjetor 2025

Kandidati për deputet nga Nisma Socialdemokrate, Endrit Shala ka reaguar pasi partia nuk arriti të kalojë pragun, gjë për të cilën ai ka thënë se “ky nuk është fundi i rrugës”.

Në një postim të bërë në Facebook, Shala shkruan se Nisma nuk ka arsye ta ulë kokën dhe se “rrugët e drejta nuk maten vetëm me një rezultat, por me mënyrën si qëndrohet në to”.

“Çdo votë që na u dha është përgjegjësi, dhe çdo besim i qytetarëve është amanet. Ne mbetemi aty ku kemi qenë gjithmonë: Me këtë rrugë politike, me Fatmir Limajn dhe me njerëzit që besojnë se politika bëhet me qëndrueshmëri, e jo me kalkulime të momentit. Ky nuk është fundi i rrugës”, shkruan mes tjerash Shala.

Reagimi i plotë:

Të dashur votues, përkrahës dhe njerëz që qëndruat me ne deri në fund,

Zgjedhjet përfunduan. Rezultati është ai që është.

Por një gjë mbetet e pandryshuar: ne e bëmë këtë rrugë drejt, me nder dhe me përgjegjësi.

Ne hymë në këtë garë me një bindje të qartë: se përballë kësaj qeverisjeje nuk mjafton secili veç e veç.

Kërkuam bashkim, kërkuam pjekuri dhe një qasje më të gjerë për interesin e Kosovës.
Ky bashkim nuk u arrit.

Jo sepse ishte i gabuar, por sepse ende nuk u kuptua plotësisht sa i domosdoshëm është.

Sot po shihet qartë ajo që e kemi thënë që nga fillimi: Pa një rreshtim të vërtetë të forcave që ndajnë të njëjtin vizion për shtetin, ndryshimi mbetet i vështirë.
Megjithatë, ne nuk kemi arsye të ulim kokën.

Sepse nuk u tërhoqëm, nuk u fshehëm dhe nuk u dorëzuam.

Çdo votë që na u dha është përgjegjësi, dhe çdo besim i qytetarëve është amanet.
Ne mbetemi aty ku kemi qenë gjithmonë: Me këtë rrugë politike, me Fatmir Limajn dhe me njerëzit që besojnë se politika bëhet me qëndrueshmëri, e jo me kalkulime të momentit.
Ky nuk është fundi i rrugës!

Është një dëshmi se Kosova ka nevojë për më shumë vetëdije, më shumë bashkim dhe më pak ego.
Ne vazhdojmë.

Me kokën lart.
Me qetësi.
Me vepra.
Sepse rrugët e drejta nuk maten vetëm me një rezultat, por me mënyrën si qëndrohet në to.
E. SH

Komento: