Konjufca në mbledhjen e përbashkët të Kuvendeve: Serbia ka qëllim ndarjen e Kosovës.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë mbledhjes së përbashkët të dy kuvendeve Kosovë- Shqipëri, ka folur edhe për “qëllimin e Serbisë për destabilizim”.
Ai tha se Serbia po e lufton Kosovën “nga brenda dhe nga jashtë, pa zgjedhur mjete”.
“Pa dyshim se është arritur shumëçka e rëndësishmë për kombin tonë, por rruga ishte e gjatë dhe aspak e lehtë. Dy ngjarje të rëndësishme e kanë hapur kapitullin e mundësive të mëdha për kombin tonë. Së pari ishte ardhja e demokracisë në Shqipërisë, e 9 vite pas kësaj ndodhi çlirimi i Kosovës nga pushtuesi i Kosovës. Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në BE, kurse Kosova e aspiron NATO-n dhe anëtarësimin në familjen e vlerave evropiane.
Orientimi ynë gjeostrategjik kombëtar është i parezervë drejt BE-së, brenda NATO-s dhe në miqësi të thellë dhe të përhershme me SHBA-në. Por përvoja na ka mësuar neve shqiptarëve që po aq sa kemi nevojë të festojmë, në të njëjtën kohë po aq duhet të reflektojmë në sfidat që kemi përpara dhe pengesat që duhet t’i kapëcejmë. Bota sot është më e pasigurt se dje për shkak të sulmit të Rusisë mbi Ukrainën, e cila e synon NATO-n dhe BE-në. I vetmi shtet në mes të Evropës që mbetet i lidhur me Rusinë është Serbia.
Serbia nuk e fsheh aspak qëllimin e saj, që është destabilizimi i Kosovës dhe ndarja faktike e shtetit tonë, Serbia na lufton nga brenda dhe jashtë, pa zgjedhur mjete, prej diplomacisë deri te financimi dhe kontrollimi i grupeve që janë të lidhura me krimin brenda vendit tonë. Sa më afër njëra-tjetrës Shqipëria me Kosovën, aq më lehtë do të jetë për t’i mbrojtur interesat jetike të kombit tonë. Ne do të mund të shënojmë arritje të radhës si komb, vetëm nëse e kombinojmë mençurinë e Ukshin Hotit, atdhedashurinë e Adem Demaçit, maturinë e Fehmi Aganit, përgatitjen e Gazmend Zajmit dhe mendjemprehtësinë e Arbën Xhaferit”, tha ai.