Pasi janë zhvilluar zgjedhjet parlamentare në Kosovë dhe pas certifikimit të rezultatit të tyre nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar më 15 prill 2025 mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Pas një periudhe rreth dy muajsh që ka kaluar nga zgjedhjet, ky është hapi i pare që çon në procesin e formimit të institucioneve të reja shtetërore dhe fillimin e punës së Kuvendit të ri.
Gjatë asaj seance, deputetët e zgjedhur do të bëjnë betimin dhe do të zgjedhin Kryetarin e Kuvendit nëse ai propozohet nga partia e fituese VV të cilës edhe ligjërisht i takon kjo pozitës.
Pas saj, në rast se në këtë seance zgjidhet kryetari i Kuvendit ai do të udhëheqë punimet e Kuvendit gjatë mandatit të ardhshëm.
A do të propozohet Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit?
Pas përfundimit të seancës konstituive, Kuvendi i Kosovës do të përqendrohet edhe në formimin e Qeverisë së re. Qeveria e re, që do të emërohet pas kësaj seance.
Deri më tani, nuk ka akoma ndonjë emër të publikuar se kush do të jetë i nominuari i VV-së për kryetar të Kuvendit, ndonëse brenda partisë më të madhe në vend sipas burimeve të FrontOnline javët e fundit po lakohet emri i Albulena Haxhiut.
Haxhiu gjatë mandatit të Qeverisë “Kurti 2” ka drejtuar Ministrinë e Drejtësisë, ndërsa në disa legjislatura ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës.
Megjithatë, kryetari apo kryetarja e Kuvendit mund të mos zgjidhet në seancën konstituive, në rast se s’ka marrëveshje dhe vota të mjaftueshme për këtë.
Për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, nevojiten 61 vota.
Bajqinovci i VV-së: Nuk e dimë kush do të jetë kryeparlamtari, por Kurti do të jetë kryeministër
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Mefail Bajqinovci, ka folur për ecurinë që do të ndodhë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se ende nuk është e qartë se kush do të zgjidhet kryeparlamentar, por ka siguruar se Qeveria do të udhëhiqet nga VV-ja.
“Nuk e dijmë ende këtë se kush do të bëhet kryeparlamentar,” ka deklaruar Bajqinovci, duke lënë të kuptohet se vendimi për këtë pozite ende nuk është marrë dhe mbetet për t’u përcaktuar në seancën konstituive të Kuvendit.
Megjithatë, ai ka shtuar se për VV, formimi i Qeverisë është i qartë dhe do të udhëhiqet nga partia e tij.
“Por formimi i Qeverisë do të bëhet nga VV me kryeministër Albin Kurtin,” tha Bajqinovci për FrontOnline, duke konfirmuar se kandidati për kryeministër mbetet lideri i VV-së, Albin Kurti.
Xhemaili: PDK thërret mbledhje të Kryesisë nesër në or 14:00
Bajrush Xhemaili, Sekretar për Politika Programore në PDK ka folur për FrontOnline për seancën konstituive të Kuvendit dhe mundësinë për formimin e Qeverisë.
Xhemaili, ka thënë se nuk e di akoma se a do e voton PDK kryeparlamentarin apo jo, duke thënë se ka pasur rast familjar dhe nuk ka mundur të merret me këtë çështje.
‘’Nuk e di, më vjen keq. Kam pasur rast vdekje në familje’’ tha ai.
Më pas Xhemaili, deklaroi se PDK ka thirru mbledhje për sot në ora 14:00 por se nuk e di se për çfarë arsye.
‘’Kanë thirre mbledhje të Kryesisë për të mërkurën në ora 14:00, por nuk e di se çka ka me u fol’’ tha shkurt Xhemaili
LDK nuk ka qëndrim se a e voton apo jo kryeparlamentarin, thotë nënkryetari Muhaxheri
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Gazmend Muhaxheri për FrontOnline ka folur mbi zhvillimet e fundit në lidhje me formimin e qeverisë dhe seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Ai ka theksuar se grupi parlamentar i LDK-së duhet të mblidhet për të diskutuar hapat e ardhshëm dhe për të vendosur qëndrimin e partisë në lidhje me votimin e kryetarit të Kuvendit.
“Duhet me u mbledhë grupi jonë parlamentar për me e vendos këtë punë. Pastaj e shohim se çka ka përgaditet VV për seancë” ka thënë Muhaxheri,
Ai gjithashtu ka shprehur dyshime lidhur me mundësinë e formimit të një qeverie të qëndrueshme, duke thënë se, sipas informacioneve që po marrin, nuk duket se VV ka siguruar votat e mjaftueshme për ta formuar qeverinë.
“Fjalët që po i ndijmë s’po duket se i kanë votat për me e formu Qeverinë dhe shihet atë ditë kur thirret Kuvendi dhe e shohim a po e votojnë kryesuesin e Kuvendit” tha ai,
Muhaxheri po ashtu theksoi se vendimet për seancën konstituive do të meren pas diskutimeve të grupit parlamentar të LDK-së.
“Mblidhet GP e japin mendimin deputetët dhe shohim si do të veprohet” përfundoi ai, duke lënë të kuptohet se LDK do të veprojë në mënyrë të koordinuar dhe pas një analize të situatës politike të krijuar.
Pozhari: VV mund edhe të mos e propozojnë emrin për kryeparlamentar në seancën konstituive
Analisti politik Xhevdet Pozhari për FrontOnline ka komentuar situatën e krijuar pas zgjedhjeve të fundit dhe procesin e formimit të qeverisë në Kosovë
Pozhari theksoi se deri më tani nuk ka pasur përmendje të një emri të mundshëm për kryeparlamentar.
“Sa i përket procedurave pas përfundimit të zgjedhjeve dhe certifikimi. Deri më tani nuk kemi parë që të përfolët një emër për kryeparlametar. Në këto rrethana është vështirë të thuhet diçka për konstituimin” tha ai për FrontOnline.
Më tej, Pozhari komentoi edhe për ngërçin politik që ka krijuar koalicioni i mundshëm mes partive, duke theksuar se “asnjë parti nuk duhet të ketë vija të kuqe”, duke i cilësuar këto si naivitet nga ana e partive që kanë formuar koalicion me LDK-në dhe jo me VV-në.
“Unë mendoj se asnjë parti nuk duhet të ketë vija të kuqe dhe kjo flet për naivitetin se partitë që kanë bërë koalicion me LS e jo me VV-në. Në politikë këto janë gjëra që nuk do të duhej të ndodhnin“ u shpreh ai,
Sa i përket emrave të mundshëm për kryeparlamentar, Pozhari shprehu dyshime për një disponim të mjaftueshëm nga ana e VV-së për të propozuar një emër konkret për këtë pozitë.
“Sa i përket emrave, unë nuk shoh disponim nga VV për emër konkret e kjo do të thotë që mund edhe të mos e propozojnë emrin në seancën konstituive“ tha ai.
Spahiu: Në seancën konstituive votohet edhe kryeparlamentari, por edhe Qeveria – Nuk e di a do të jetë Konjufca
Analisti politik Nexhmedin Spahiu ka folur mbi situatën aktuale lidhur me formimin e qeverisë dhe zhvillimet që pritet të ndodhin në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Spahiu ka theksuar se nuk mund të dihet ende nëse kandidati aktual, Glauk Konjufca, do të kërkojë një pozicion tjetër.
“Duhet të jemi në kokën e Kurtit për të parë se ke e ka në mendje për të vendosur si kryetar i Kuvendit. Nuk dihet, sepse mund që Konjufca të kërkojë pozicion tjetër, sepse nuk jam në kokën e tij për të parë se cilat janë dëshirat e tij,” tha Spahiu.
Përveç kësaj, ai theksoi se mund të ketë një ndryshim në krye të Kuvendit, dhe kjo varet nga negociatat me Fatmir Limajn
“Mund të ketë ndryshim të kryetarkuvendarit. Varet edhe si shkojnë negociatat me Limajn dhe çka kërkon ai për hise të koalicionit,” shtoi Spahiu.
Për seancën e parë të Kuvendit, analisti është i mendimit se ky proces do të përfundoj edhe me zgjedhje të kryetarit të Kuvendit por edhe me formim të Qeverisë
“Po, po patjetër. Në seancën e parë do të kryhet krejt ky muhabet, pra do të ketë edhe votim të kryeparlamentarit edhe votim të Qeverisë” tha ai.