Seancë deri në orët e vona të natës, krejt çka tha kryeministri Kurti dje para deputetëve

09:19 | 03 March 2023

Deputetët e Kuvendit të Kosovës u mbledhën edhe mbrëmë në orët e vona të natës për ta vazhduar seancën e cila përfundoi me largimin e kryeministrit Kurti, në orën 16:00.

Paraprakisht, gjatë ditës, kryeministri Kurti raportoi në seancë lidhur me zhvillimet e fundit në dialog.

Kryeministri u rrëfye para deputetëve lidhur me takimin e fundit në Bruksel, dhe marrëveshjen e dakorduar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Kreu i Qeverisë tha se në takimin e së hënës, të ftuar nga Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, takimi u ftua me dy pika të agjendës, atë për formalizimin e pranimit të marrëveshjes bazë të propozuar nga BE, dhe e dyta, fillimin e diskutimeve për planin e zbatimit të kësaj marrëveshje.

Kryeministri Kurti tha se shpeshherë ka keqkuptime për këto dy dokumente, pasi siç tha ai Bashkimi Evropian zyrtarisht e ka prezantuar vetëm njërin dokument.

“Marrëveshjen bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe plani i zbatimit do duhet të negociohet dhe ato s’kanë filluar ende. Isha pjesëmarrës në dy lloj takime, bilateral dhe trilateral, ku prezent ishte presidenti serb, Aleksandër Vuçiq”, tha Kurti.

Kurti tha se i ka ofruar BE-së nënshkrimin zyrtar si Kryeministër i Republikës së Kosovës të marrëveshjes bazike të cilën do duhej ta nënshkruante edhe Josep Borrell si dhe Aleksandër Vuçiq, por që ky i fundit sipas tij e refuzoi.

“Refuzimi ishte i mënyrës kategorike gjë që e bëri publike dhe ai”, tha Kurti.

“Ata që thonë që kjo marrëveshje nuk ka njohje de facto, atëherë pse e refuzoi këtë marrëveshje Presidenti i Serbisë. Marrëveshja bazë përbën hap të rëndësishëm në rregullimin e marrëdhënieve ndërkombëtare ndërmjet dy shteteve. Marrëveshja mundëson projekt paqe, e cila e sekuencon ne kohe arritjen e një marrëveshje finale. Marrëveshja i hap rrugë Republikës sonë për anëtarësim në shumë organizata ndërkombëtare”.

Kurti tha se i vetmi nen ku ka një problem në këtë marrëveshje është ai që lidhet me obligimet e trashëguara e për të cilat ka një konsensus ndërkombëtar që ato duhen zbatuar.

“Është neni 10 i marrëveshjes, fjalia e fundit. Përmban normën që të gjitha marrëveshjet e Brukselit duhen zbatuar. Këtë duhet ta kuptoni si një detyrim ndaj tërësisë dhe paqartësisë që e shoqëron në tërësi e jo si diçka të veçantë ndaj një elementi të një marrëveshje, natyrisht e kam fjalën për marrëveshjen Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013 e të ratifikuar në këtë Kuvend e të zgjeruar me marrëveshjen Mustafa-Vuçiq më 25 gusht 2015 mbi Asociacionin. Pra, marrëveshja bazë nuk i veçon elementet, por i vendos ato në një normë të tipit kategori”, u shpreh mes tjerash kryeministri.

I pari i Qeverisë ka sqaruar po ashtu edhe pikën e shtatë të propozimit evropian, apo Neni 7 në Marrëveshjen Bazike, ku flitet për “sigurimin e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.

Kurti tha se në nenin 7 të propozimit flitet për komunitetin serb dhe jo për komunat me shumicë serbe.

“Ne nenin 7 flitet për komunitetin serb. Pra komuniteti serb nuk janë komunat me shumicë serbe. Janë dy gjera të ndryshme. Komuniteti serb ekziston edhe në planin e Ahtisarit edhe në Kushtetutë. Marrëveshja parasheh që të drejtat e komunitetit serb duhet hartuar në përputhje me të drejtat e Këshillit të Evropës”, deklaroi Kurti në seancën plenare.

Gjithashtu kreu i Qeverisë së Kosovës theksoi se një vetmenaxhim i tillë parashihet edhe në nenin 22 të Kushtetutës së Kosovës.

“Pra maksimumi që do të mund të nënkuptonte një vetëmenaxhim i tillë është ajo që kushtetuta e parasheh në nenin 22 të saj. Propozimi kryesor s’ka asnjë referencë se çfarë do të nënkuptojë një vetëmenaxhim I tillë, përderisa Tavani i lartë është Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës .Kjo nënkupton që rezultati duhet të jetë një format I respektit për të drejtat individuale jo territoriale të pakicave. Që bazohet në individin me të drejta edhe sipas përkatësisë e jo në institucionet apo monopolin territorializues të tyre. Këtu nuk kam dhënë asgjë. Ajo që kam premtuar e pranuar është që komuniteti serb të trajtohet sipas nenit 22 të Kushtetutës që e ka pjesë të saj Konventën Kornizë. Kushdo që thotë që kjo nënkupton diçka shtesë e ka gabim. Ose kështu rezonojnë në fqinjin tonë armik. Komuniteti serb nënkupton një dimension social dhe jo territorial, jo institucional e jo politik të një tërësie të individëve. Nuk ka komunitet pa individë, por individët nuk mund të bëhen komunitet.Konventa kornizë ka subjekt individët që janë pjesë e grupeve minoritare dhe ky është kuptimi i Nenit 7. Pra neni 22 I Kushtetutës është referencë për të drejtat individuale” ,përfundoi Kurti.

Sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kreu i Qeverisë tha se s’do të negocionte për diçka që nuk është në përputhje me Kushtetutën, ndërsa theksoi se nuk do të bënte gabimet e qeverive të kaluara, pasi siç u shpreh ai në Kuvend, do mundohet vetëm t’i eleminojë gabimet e së kaluarës, ose t’i reduktojë ato.

“Gabimet e qeverive të kaluara nuk do të përsëriten, do bëj përpjeke që ato gabime t’i eliminojë, ose t’i reduktojë që mos të jenë pengesë për karakterin e Kosovës. Shume detaje nuk mund t’i them, por mendja e shëndosh e ka lehtë ti kuptoje ato”, tha kryeministri.

Lidhur me gjashtë kushtet për themelimin e Asociacionit, Kurti tha se nuk ka ndryshuar qëndrim, koncept e as qëllim, dhe se gjithçka ka thënë vlen ende.

“Çka kam thënë për Asociacionin e 6 kushtet gjithçka vlen, po e ritheksoj që nuk kam ndryshuar as në koncept e as në qëllim e as në kuptim. Kam shprehur kritikë të komunave mbi bazë etnike e tash po dëshirohet të kalohet edhe në një stad tjetër, duke u thirrur në marrëveshjen e vitit 2013”, tha Kurti në Kuvend.

Por, se Kurti nuk duhet të akuzohet për Asociacionin e tha Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pasi siç tha ai kryeministri e ka gjetur si pjesë detyruese të marrëveshjeve paraprake.

Megjithatë, Abdixhiku tha se ajo që po sjellë Kurti, është pranimi i këtij Asociacioni, përkundër kundërshtimit disavjeçar që e ka bërë.

Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se nga qëllimi shtetëror për një marrëveshje finale me njohjen e ndërsjellë në qendër, ky proces ka degraduar në një marrëveshje të përkohshme me Asociacionin në qendër”.

“Po flasim për një marrëveshje ku nenin 10 pa njohjen e ndërsjellë e pranon Asociacionin, në nenin 7 i jep mundësi krijimit të një sistemi autonoomist për serbët e Kosovës, e mos të flasim pastaj për nenin 11, pra për aneksin që hapë shumë e shumë pikëpyetje. Mbi të gjitha, nga ajo që kemi parë ajo marrëveshje nuk mund të hyjë në fuqi pa ardhë në Kuvendin e Kosovës për ratifikim”, tha Krasniqi në Kuvend.

Kujtojmë se më 27 shkurt, Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar në Bruksel që të mos ketë diskutime shtesë në lidhje me propozimin e BE-së.

Komento: