Sejdiu ka thënë se Rugova ishte Komandant Suprem, Ademin e Zahirin i çuam ne në Shqipëri.
Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu thotë se Ibrahim Rugova ka qenë Komandanti Suprem i rezistencës së armatosur në vitet e 90-ta.
Për indeksonline me gazetarin Kreshnik Berisha, Sejdiu ka deklaruar se LDK-ja ishte ajo që kishte bërë organizimet e para për luftë, duke dërguar formacionet e para ushtarake në Shqipëri.
“Janë bërë organizimet e para të rezistencës së armatosur. LDK-ja, përkatësisht Presidenti Rugova që është konsideruar në bazë të Kushtetutës së kohës (vër. Kushtetuta e Kaçanikut) Komandanti Suprem. Grupet e para për mbrojtjen e vendit, në luftën që do të imponohej, sepse gjithmonë është besuar që do të hyhej, dasht e padasht, kur mbështetesh për muri… janë dërguar ekipet në Shqipëri. Edhe Ademi Jashari, edhe Zahir Pajaziti edhe Sali Ceku edhe personalitete të tjera tepër të rëndësishme që kanë qenë në proceset e mëvonshme, nga ata që kanë qenë në formacionet ushtarake, ka qenë një organizim I brendshëm në vend”, ka deklaruar Sejdiu.
Sejdiu ka folur edhe për formacionet e mbrojtjes territoriale që janë organizuar atëbotë, nën udhëheqjen e Presidentit Rugova, deri tek marrëveshja e Oslos e cila bashkoi të gjitha grupet ushtarake në një të vetme.
“Ne i quanim atëkohë njësite të mbrojtjes territoriale, oficerët rezervë që kanë qenë dhe deri në 1993 ka qenë një organizim tepër I mirë. Ky organizim është zbuluar pastaj (vër. nga Serbia) shumë nga njerëzit janë burgosur, gjatë… deri në përpjekjen e unifikimit të gjithë faktorëve (vër. ushtarak) me marrëveshjen e Oslos. Një marrëveshje që qëllimin e ka pas të mirë, por në njëfarë mënyre, pastaj nuk ka shkuar krejt në vijën e duhur”, ka thënë Sejdiu.