Sejdiu sqarohet për “përplasjen” që ndodhi mes tij dhe Shalës

15:31 | 15 Dhjetor 2018

Mes Dardan Sejdiut dhe nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e LDK’së, Kujtim Shala ka ndodhur një përplasje ku pati edhe ofendime.

Shefi i Grupit Parlamentar të PSD’së, Dardan Sejdiu, është deklaruar edhe njëherë për një përplasje që u raportua se ka ndodhur mes tij dhe nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e LDK’së, Kujtim Shala në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit.

Sipas Sejdiut, ajo nuk ka qenë përplasje, pasi ai thotë të mos ketë ofenduar as sharë Shalën.

Megjtihatë, shefi i GP të PSD’së thotë se nënkryetari i Kuvendit e shau dhe e ofendoi atë.

Gazeta Express ka tentuar të marrë një version nga Shala për ata që ndodhi sot mbledhjen e kryesisë, mirëpo ai nuk është përgjigjur.

Postimi i plotë i Sejdiut:

Ndjej obligim si deputet në Kuvendin e Kosovës, të sqarohem për atë që u raportua sot në media, si “përplasje” midis meje dhe deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Kujtim Shala, në mbledhjen e sotme të kryesisë së Kuvendit të Republikës.

E vërteta është që unë nuk kam shprehur asnjë fyerje ose ofendim ndaj z.Shala.

Pasi ngriti çështje procedurale, z.Shala kulmoi përnjëherë me të fyera dhe ofendime ndaj meje.

Sigurisht që nuk lëshohem në nivel të tillë të të shprehurit. Madje jam shumë i befasuar me gjuhën e z. Shala, që është edhe ligjërues universitar.

Ndonëse nuk e kuptoj ende përpjekjen e z.Shala për t’iu shmangur mekanizmave institucionale, kur partia e tij thirret vazhdimisht në institucionalizëm; sjellja e sotme e z. Shala ka prirje ta kuptimësojë edhe sjelljen e LDK-së, gjatë gjithë kësaj kohe, që çdo ditë e më pak përkon me frymën e parlamentarizmit.

Duke besuar se pluralizmi dhe demokracia janë vlerat që i synojmë si shoqëri dhe si subjekte politike në Kosovë, e duke respektuar të drejtën e çdokujt për ta përzgjedhur gjuhën dhe sjelljen e tij në jetën publike, ftoj z.Shala e çdo kolegë tjetër, për diskutime etike dhe përmbajtësore, për të gjitha çështjet që janë në shërbim të interesit të përgjithshëm.

Komento: