Sekretari amerikan: Ka prova që dokumentojnë krime lufte mbi civilët në Ukrainë

17:04 | 06 Mars 2022

Ukraina po vazhdon të jetë në luftë me Rusinë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, tha të dielën se SHBA-të kanë parë “raporte shumë të besueshme të sulmeve të qëllimshme ndaj civilëve” në Ukrainë që mund të konsiderohen krim lufte, shkruan BBC, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

“Ne kemi parë raporte shumë të besueshme të sulmeve të qëllimshme ndaj civilëve që do të përbënin një krim lufte. Kemi parë raporte shumë të besueshme se si po përdoren disa armë të caktuara”, tha Blinken për Jake Tapper të CNN në “State of the Union”.

“Dhe ajo që ne po bëjmë tani është dokumentimi i gjithë kësaj, po i bashkojmë të gjitha raportet, po i shikojmë dhe po sigurohemi që, ndërsa njerëzit, organizatat dhe institucionet përkatëse hetojnë nëse janë kryer apo po kryhen krime lufte, ne të mund t’i mbështesim ata për çkado.”

Pohimi nga Blinken vjen pas komenteve të presidentit amerikan Joe Biden javën e kaluar se Rusia synonte qëllimisht të vriste civilë në sulmet ndaj Ukrainës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka akuzuar gjithashtu Rusinë për përdorimin e municioneve thërrmuese dhe bombave vakum – armë që janë të ndaluara sipas ligjit ndërkombëtar.

Komento: