Sekretari Halimi merr përkrahje nga Banka Botërore për zhvillimin e bujqësisë në Kosovë

13:57 | 26 March 2019

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Kapllan Halimi bashkë me ushtruesin e detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Ekrem Gjokaj, gjatë vizitës zyrtare në Washington po marrin pjesë në Konferencën e Bankës Botërore mbi Tokën dhe Varfërinë, në të cilën prezantohen hulumtimet dhe inovacionet më të fundit në politikat dhe praktikat e mira të qeverisjes së tokës në të gjithë botën.

Në kuadër të kësaj vizite, Sekretari Halimi është takuar me drejtorin e lartë të Bankës Botërore, Juergen Voegele, me të cilin kanë diskutuar për hapat konkretë që mund të ndërmerren në të ardhmen e afërt, me qëllim të zhvillimit më të madh të sektorit të bujqësisë në Kosovë, e për çka Banka Botërore do të ofrojë mbështetjen e saj.

Gjatë këtij takimi, Halimi e ka njoftuar atë për të arriturat dhe sfidat në bujqësi në Kosovë, duke e vlerësuar atë si një nga sektorët që ka ndikuar dhe mund të ndikojë edhe më shumë në punësim dhe zhvillim ekonomik. Po ashtu, ai ka falënderuar BB-në për mbështetjen që po e jep për bujqësinë në Kosovës përmes Projektit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.
Në anën tjetër, drejtori Juergen Voegele, ka rikonfirmuar gatishmërinë e BB-së për të vazhduar mbështetjen për sektorin e bujqësisë, duke i vlerësuar të arriturat në këtë sektor.

Komento: