Hajriz Koca ngrit padi ndaj Agjencisë Kundër Korrupsionit, thotë se emërimi i tij në MIN nuk paraqet konflikt interesi.
Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Hajriz Koca, ka kundërshtuar vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, që sipas vendimit të AKK-së emërimi i Kocës si sekretar në MIN është konflikt interesi.
Sekretari Koca, në një deklaratë të dhënë për Telegrafin ka thënë se ka ngritur padi ndaj Agjencisë Kundër Korrupsionit.
“Në lidhje me Vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, për konflikt interesi, ju informoj se duke shfrytëzuar të drejtën time ligjore, sot kam bërë padi për konflikt administrative kundër Agjencisë Kundër Korrupsionit, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke kundërshtuar vendimin e saj, për konflikt interesi. Këtë vendim e kundërshtoj pasi nuk është në harmoni me dispozitat ligjore të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të interesit, është i ndikuar dhe jo profesional”, është shprehur ai për Telegrafin.
Ai tha se duke u bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, emërimi i tij nuk paraqet konflikt interesi.
“Duke u bazuar në Nenin 18 , pika 1.1. e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit i cili flet për:Kufizimet e zyrtarit të lartë pas përfundimit të ushtrimit të detyrës publike 1. Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë: 1.1.të punësohet ose të emërohet, për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik, në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese, apo të përfshihet në kontrollin ose auditimin e institucioneve publike dhe private dhe institucioneve vartëse të tyre të cilat kanë marrëdhënie biznesi me institucionin ku ka ushtruar funksionin publik, nëse detyrat e tij gjatë periudhës dy-vjeçare para përfundimit të ushtrimit të funksionit publik kanë qenë drejtpërdrejtë të lidhura me mbikëqyrjen, kontrollin apo sanksionimin e aktivitetit të tyre.
Pra në bazë të këtij neni në cilësinë e Këshilltarit politik të ministrit, mua nuk me kufizohet e drejta për tu emëruar në pozitë menaxhuese, pasi detyrat e mia gjatë ushtrimit të funksionit të këshilltarit nuk kanë qenë të lidhura me mbikëqyrjen, kontrollin apo sanksionimin e aktivitetit të punës së institucionit apo të stafit administrativ të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë”, ka thënë ai.
Ai tha se Agjencia Kundër Korrupsionit ka pasur mundësi të jap opinionin e saj para zgjedhjes së tij në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm, në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarërsisë, por që sipas tij, nuk e ka bërë një gjë të tillë brenda afateve ligjore.
“Edhe pse mbetet që Gjykata ta vërtetojë me faktet në këtë rast, unë besoj që zgjedhja ime në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë është bërë në bazë të konkursit publik dhe në harmoni të plotë me të gjitha ligjet të cilat e rregullojnë fushën e shërbimit civil”, tha ai.
Sekretari tha në fund se për inicimin e padisë kundër Agjencisë Kundër Korrupsionit, i ka informuar edhe institucionet kompetente të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ndryshe, gjatë ditës së djeshme Agjencia Kundër Korrupsionit ka konstatuar se emërimi i Hajriz Kocës në pozitën e sekretarit të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë paraqet konflikt interesi.
Pasi që sipas AKK-së, Hajriz Koca para emërimit në pozitën e sekretarit në Ministrinë e Inovacionit ishte këshilltar politik i ministrit të po kësaj ministrie, dhe se kjo situatë bie ndesh me dispozitat e Ligjit për Parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrim të këtij funksioni.
Agjencia Kundër Korrupsionit ka kërkuar dje nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, që të nisin proceduarat për shkarkimin e tij.