Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s: KFOR-i mbështet përpjekjet diplomatike të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi

13:48 | 12 October 2022

Stoltenberg: KFOR-i mbështet përpjekjet diplomatike të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se KFOR-i mbështet përpjekjet diplomatike të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Përpara takimit të ministrave të Mbrojtjes së NATO-s në Bruksel, tha se KFOR është në Kosovë edhe për të ndihmuar sigurimin e stabilitetit.

“Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për NATO-n, ne kemi një histori atje. Ne kemi qenë atje për shumë vite. Ne ndihmuam për t’i dhënë fund dy luftërave brutale gjatë viteve 1990. Ne kemi misionin tonë të KFOR-it në Kosovë duke ndihmuar në sigurimin e stabilitetit, lëvizjen e lirë të të gjitha komuniteteve në Kosovë, ne kemi selinë në Sarajevë dhe po ashtu po punojmë ngushtë me Bashkimin Evropian”,tha ai.

Po ashtu ai tha se trupat e NATO-s në Kosovë ndihmojnë për të mbështetur përpjekjet diplomatike të Bashkimit Evropian në dialogun Prishtinë-Beograd.

“Trupat e NATO-s në Kosovë ndihmojnë për të mbështetur përpjekjet diplomatike të Bashkimit Evropian në dialogun Prishtinë-Beograd. Dhe ne gjithashtu punojmë së bashku me BE-në në Bosnje Hercegovinë. Dhe sigurisht, ne kemi edhe anëtarë në Ballkanin Perëndimor. Dy anëtarët më të rinj të aleancës janë në fakt vende të Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Pra, Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për NATO-n dhe për këtë arsye, ne vazhdojmë të fokusohemi në atë rajon”,ka thënë Stoltenberg.

Komento: